Brenda një dite janë arrestuar 25 shoferë: 12 kanë vozitur pa patentë, 11 nën ndikimin e alkoolit

Në total 25 shoferë janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit në vende të ndryshme nëpër shtet për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale "drejtim i pakujdesshëm i automjetit", sipas nenit 297-a të Kodit Penal, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga të arrestuarit, 12 persona kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi, 11 kanë vozitur nën ndikimin e alkoolit, ndërsa dy kanë drejtuar automjet edhe pse kishin ndalim aktiv për drejtimin e tij.
Ndër personat e kapur duke vozitur pa patentë janë edhe të mitur në moshë 16 dhe 17 vjeç nga Shkupi, si dhe një tjetër i mitur nga Koçani. Policia ka arrestuar edhe disa persona të rritur nga Shkupi dhe vendbanimet përreth, si dhe nga qytete të tjera në shtet.
Shoferë nën ndikimin e alkoolit janë kapur nga Shkupi, Radovishi, Shtipi, Prilepi, Negotina, Gjevgjelia dhe vendbanimet përreth. Dy shoferët që kanë drejtuar automjet gjatë ndalimit të dhënë janë nga Dellçeva dhe Bitola.
Pas dokumentimit të plotë të rasteve, kundër personave do të ngrihen padi penale përkatëse.
MPB apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe ligjet, të mos drejtojnë automjet pa patentë shoferi, gjatë ndalimit aktiv ose nën ndikimin e alkoolit, me qëllim që së bashku të kontribuojnë për siguri më të madhe në rrugë.



