Britania ndan 710 milionë paund për mbrojtjen e objekteve ushtarake dhe mbrojtjen nga dronët

Britania e Madhe ndan 470 milionë paund shtesë për përmirësimin e sigurisë së objekteve kritike ushtarake në të gjithë vendin, ndërsa edhe 240 milionë paund do të dedikohen për përmirësimin e sistemit të luftës kundër dronëve, i njohur si projekti "Presagium", thuhet në përgjigjen e Ministrisë britanike të Mbrojtjes në parlament, transmetoi "UK Defence Journal".
Deputeti konservator nga South Shropshire, Stuart Anderson, ka pyetur se çfarë përparimi është arritur në forcimin e rezistencës ndaj sulmeve dhe situatave të tjera krizash pas publikimit të Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes.
Luk Pollard, ministër për gatishmërinë dhe industrinë e mbrojtjes, ka deklaruar se Ministria e Mbrojtjes po zbaton një sërë masash për forcimin e rezistencës së vendit.
Masat përfshijnë mbrojtjen e objekteve më të rëndësishme ushtarake, si dhe planifikimin e mbrojtjes së vendit në rast krize ose konflikti të armatosur.
Sipas Pollard, qeveria britanike po punon për identifikimin e infrastrukturës kombëtare kyçe të nevojshme për funksionimin e vendit dhe aftësinë e tij për të përballuar dhe për t'iu përgjigjur konfliktit.
Në kuadër të këtij procesi, Ministria e Mbrojtjes siguron të dhëna për bazën e informacionit mbi infrastrukturën kritike kombëtare, brenda programit që drejtohet nga Kabineti i Qeverisë.



