Izraeli rikonverton 840 milionë dollarë për mbrojtjen: ulen fondet për arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale

Qeveria e Izraelit pritet të miratojë sot një ulje prej 4.9 për qind të shpenzimeve buxhetore, ose rreth 840 milionë dollarë, me qëllim që fondet të ridrejtohen për blerje urgjente të mbrojtjes, raporton "Times of Israel".
Shkurtime e propozuara do të përfshijnë një numër të madh ministrish, përfshirë sektorët e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe transportit.
Udhëheqësi i opozitës izraelite, Jair Lapid, deklaroi se blerjet për mbrojtjen janë të nevojshme, por vlerësoi se ato mund të financohen pa ulur fondet e destinuara për arsimin dhe mbrojtjen sociale.
Ai kritikoi propozimin e qeverisë, duke theksuar se fondet e destinuara për partnerët e koalicionit do të mbeten të paprekura.
Shërbimet profesionale dhe këshilltarët ligjorë kanë paralajmëruar se masat e propozuara mund të ndikojnë ndjeshëm në funksionimin e shërbimeve publike.
Sipas gazetës izraelite, propozimi i ri vjen vetëm disa ditë pasi qeveria miratoi 323 milionë dollarë për blerjen e helikopterëve luftarakë amerikanë "Apache".
Pjesa më e madhe e fondeve për këtë blerje do të sigurohet përmes uljes së shpenzimeve për planin pesëvjeçar të zhvillimit ekonomik të komunitetit arab në Izrael.
Nëse miratohet edhe propozimi i ri, vlera totale e fondeve të destinuara për blerjet mbrojtëse bazuar në dy vendimet do të tejkalojë 1.1 miliardë dollarë.
Në propozimin qeveritar thuhet se fondet janë të nevojshme për "blerje konfidenciale për pajisjen e Ministrisë së Mbrojtjes". Detajet për blerjet e planifikuara dhe arsyet e urgjencës së tyre duhet të prezantohen para komitetit kompetent ministror.
Përfaqësues të sektorit të mbrojtjes kanë paralajmëruar se vonesa në miratimin e fondeve deri në formimin e qeverisë së re mund të rrezikojë përgjigjen e nevojshme të sigurisë.
Zgjedhjet parlamentare në Izrael janë caktuar për 27 tetor.



