E diel, 18 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Kryeministrja japoneze: Harxhoj tre deri në katër orë më shumë se burrat për shkak të grimit dhe detyrave shtëpiake

18.10.2026, 13:45

Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi ka shkaktuar debat për barazinë gjinore, rolet tradicionale të grave dhe orët e tepërta të punës, pasi deklaroi se harxhon tre deri në katër orë më shumë se paraardhësit e saj meshkuj për shkak të detyrave shtëpiake, grimit dhe përgatitjeve për paraqitjet televizive, transmeton Associated Press.

Takaichi, gjatë një seance parlamentare të mërkurën, shpjegoi se në mëngjes duhet të lahet, të përgatisë mëngjesin, të lajë enët dhe të bëjë grim para se të fillojë detyrat zyrtare.

"Për shkak të këtyre gjërave kam ndjesinë se harxhoj tre ose katër orë më shumë se kryeministrat meshkuj", deklaroi Takaichi, duke shtuar se bashkëpunëtorët e saj kanë pasur nevojë për kohë për t'u mësuar me faktin që i duhet më shumë kohë për grim dhe përgatitje për paraqitjet televizive.

Deklaratat e saj shkaktuan kritika në rrjetet sociale, ku disa përdorues vlerësuan se ky qëndrim pasqyron rolet tradicionale gjinore dhe injoron vështirësitë me të cilat përballen gratë e punësuara që, përveç punës, kujdesen edhe për fëmijët dhe anëtarët më të moshuar të familjes.

Gratë në Japoni kalojnë pothuajse pesë orë në ditë në detyra shtëpiake

Sipas të dhënave më të fundit të qeverisë japoneze, gratë në vend kalojnë pothuajse pesë orë në ditë duke kryer detyra shtëpiake, ndërsa burrat mesatarisht i kushtojnë rreth 40 minuta këtyre detyrave.

Avokatja Fusako Miwa vlerësoi se nuk është problem nëse kryeministres i duhet më shumë kohë për të kryer detyrat e saj, por se justifikimi i orëve shtesë të nevojshme për grim hap pyetje për kuptimin e saj mbi barazinë gjinore.

Takaichi, e cila është gruaja e parë në krye të qeverisë japoneze, më parë kishte deklaruar se për shkak të orarit të ngarkuar dhe detyrave shtëpiake fle midis zero dhe tre orësh gjatë natës. Edhe këto deklarata shkaktuan kritika se promovon punën e tepërt në vend të një balancimi më të mirë midis jetës profesionale dhe private.

Propozime për uljen e ngarkesës së punës

Mënyra se si kryeministrja organizon kohën e saj u bë edhe temë e debatit politik.

Fumitake Fujita, një funksionar i lartë i partnerit koalicionit Partia Inovative Japoneze, ka propozuar shkurtimin e seancave parlamentare me orë të gjata, në të cilat ministrat marrin pjesë pothuajse çdo ditë.

Në një raport të qendrës kërkimore NXJ Research thuhet se kryeministri japonez në vitin 2022 ka marrë pjesë në seanca parlamentare për 72 ditë. Për krahasim, kryeministri britanik ka marrë pjesë për 50 ditë, ndërsa ai gjerman për 13 ditë.

Raporti propozon gjithashtu angazhimin e kuzhinierëve dhe personelit ndihmës në rezidencën zyrtare të kryeministrit, në mënyrë që shefi i qeverisë të mund të përqendrohet më shumë në punët shtetërore dhe të ketë kohë të mjaftueshme për gjumë.

Takaichi ka pranuar se i vjen vështirë të gjejë kohë për të menduar për zhvillimin afatgjatë të Japonisë. Ajo ka thënë se shpesh merr një numër të madh dokumentesh në shtëpi dhe i lexon deri vonë në natë.

Lajme të ngjashme