Arrin funksioni i ri: Unaza inteligjente Oura merr opsionin që të gjithë e prisnin

Unaza e njohur inteligjente Oura prezanton dy funksione të rëndësishme të reja për monitorimin e shëndetit dhe kardio-fitness.
Oura, prodhuesi i unazave inteligjente, njoftoi shtimin e dy funksioneve të reja të fitnessit. E para është "Cardio Effort" (Përpjekja Kardio) – një vlerësim i ngarkesës së trupit të përdoruesit gjatë një aktiviteti të caktuar. Kjo matje e personalizuar ofron pesë nivele – "e lehtë" (light), "e moderuar" (fair), "mbajtje" (maintaining), "ndërtim" (building) dhe "arritje" (reaching) – dhe lejon një pasqyrë se si aktivitetet javore krahasohen me vlerën fillestare personale (baza) të individit.
Kompania thekson se ky funksion bazohet në metodën "Training Impulse" dhe është dizajnuar për të monitoruar trendet afatgjata në aktivitetin kardiovaskular.
Funksioni i dytë lejon që unaza inteligjente të vlerësojë automatikisht VO2 Max (konsumimi maksimal i oksigjenit). Kjo mundësi, më parë e njohur si "Cardio Capacity" (Kapaciteti Kardio) brenda mjetit Oura Labs, nuk ishte automatizuar dhe për aktivizimin e saj kërkohej një test gjashtë minutësh ecjeje. Funksioni i përmirësuar i VO2 Max tani kryen vlerësime në mënyrë pasive, gjatë ushtrimeve të rregullta ku përfshihet GPS, që do të thotë se testi i veçantë nuk është më i nevojshëm.
Matja VO2 Max do të jetë në dispozicion në seksionin Oura Labs për unazën inteligjente Oura të gjeneratës së tretë, si dhe për modelet më të reja.
Këto shtesa të reja zgjerojnë më tej gamën e të dhënave që Oura ofron për shëndetin holistik. Pajisje të tjera të veshshme, si Apple Watch dhe Fitbit, tashmë prej kohësh ofrojnë monitorim të metrikeve të ngjashme kardio; prandaj, kjo risia mund ta bëjë unazën inteligjente Oura një zgjedhje të shkëlqyer për njerëzit që preferojnë një unazë inteligjente në vend të orës ose byzylykut.



