E mërkurë, 28 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Kripa jo vetëm që rrezikon zemrën: Shkencëtarët paralajmërojnë për një rrezik tjetër

Futja e tepërt e kripës është një rrezik i njohur për presionin e lartë të gjakut, por studimet e fundit tregojnë se dieta e pasur me natrium mund t'i dëmtojë drejtpërdrejt mëlçinë.

Shkencëtarët paralajmërojnë se kripa mund të ndryshojë mënyrën se si mëlçia përpunon yndyrnat, të stimulojë proceset inflamatore dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve serioze të këtij organi. Edhe pse nevojiten studime shtesë, shkencëtarët këshillojnë kujdes me futjen e kripës për të ruajtur shëndetin dhe funksionin e mëlçisë, shkruan “Verywell Health£.

Edhe pse veshkat janë përgjegjëse kryesore për përpunimin dhe rregullimin e natriumit, sasia e kripës së futur ndikon edhe në organe të tjera, duke përfshirë mëlçinë, zemrën dhe trurin.

„Veshkat kontrollojnë sa natrium mban trupi, por kjo nuk do të thotë se mëlçia është e mbrojtur“, shpjegon dr. Brian P. Lee, hepatolog dhe mjek për transplant mëlçie në spitalin „Keck Medicine“ në Los Anxhelos.

„Natriumi ndikon në presionin e gjakut, balancën e lëngjeve, rezistencën ndaj insulinës dhe mikroflorën e zorrëve, të cilat të gjitha ngarkojnë mëlçinë në mënyra të ndryshme“, shton ai.

Një studim i fundit tregoi se dieta e pasur me yndyra dhe natrium mund të rrisë inflamacionin dhe plagët në mëlçi. Inflamacioni dhe plagët janë faktorë kyç rreziku për zhvillimin e gjendjeve më serioze, siç janë cirroza, dështimi i mëlçisë dhe kanceri.

„Kjo është e rëndësishme sepse yndyrnat në vetë mëlçinë janë kryesisht të padëmshme. Inflamacioni që shoqëron akumulimin e yndyrave në fakt shkakton plagë, që çojnë në cirrozë, dështim të mëlçisë dhe kancer“, thotë Lee.

Sidoqoftë, Lee paralajmëron se këto gjetje nuk duhet të pranohen pa rezervë, pasi studimet tek njerëzit janë ende në zhvillim.

„Ishte një studim tek minjtë, prandaj do të isha i kujdesshëm në përcjelljen direkte të përfundimeve tek njerëzit. Shumë gjetje nga studimet tek minjtë nuk janë konfirmuar kur janë testuar tek njerëzit“, shton ai.

Studimet sugjerojnë se shumë kripë mund të kontribuojë në inflamacion dhe plagë edhe nëse nuk shkakton akumulim shtesë të yndyrave.

„Ky zbulim më tërhoqi vëmendjen sepse është shumë i ngjashëm me atë që shohim tek disa pacientë të dobët që nuk janë mbipeshë, por kanë rezultate më të këqija në sëmundjen steatozike të mëlçisë të lidhur me disfunksionin metabolik (MASLD)“, thekson Lee.

Studimet e reja tregojnë se ushqimi i kripur mund të shkaktojë inflamacion dhe plagë, duke rritur rrezikun e zhvillimit të sëmundjes. Megjithatë, çfarë ndodh kur një person që tashmë ka sëmundje të mëlçisë konsumon sasi të mëdha natriumi?

Përgjigjja varet nga lloji dhe stadiumi i sëmundjes. MASLD është një gjendje që përfshin akumulimin e yndyrnave të tepërta në mëlçi tek njerëzit që konsumojnë pak ose aspak alkool.

„Në fazat e hershme të MASLD, problemi kryesor është se kripa mund të shkaktojë presion të lartë të gjakut dhe inflamacion. Kjo, teorikisht, mund të përshpejtojë përparimin e sëmundjes“, thotë Lee.

Nëse sëmundja përparon ose personi ka një gjendje më serioze, si cirroza, pasojat e dietës së pasur me natrium bëhen edhe më të theksuara.

„Tek cirroza, mund të ketë presion të rritur në enët e gjakut që çojnë në mëlçi, që quhet hipertension portal“, shpjegon Lee.

„Në atë fazë, kripa bëhet veçanërisht e dëmshme sepse shkakton akumulim të lëngjeve në bark dhe në të gjithë trupin“, shton ai.

Nëse jeni të shqetësuar për futjen e natriumit, disa ndryshime të thjeshta në stilin e jetës mund të bëjnë një ndryshim të madh. Një fillim i mirë është të ndiqni ushqimin që hani çdo ditë.

„Shumë njerëz habiten nga fakti që buka është burimi më i madh i natriumit në dietë“, thotë Lee.

Sipas tij, pas bukës vijnë produktet e thata të mishit, djathrat, supat në qese, salcat për makarona, salcat për sallata, salca soje, ushqimet e fermentuara dhe shumica e ushqimeve që shërbehen në restorante.

Lee gjithashtu shpjegon se edhe ushqimi që e konsiderojmë të shëndetshëm mund të përmbajë sasi të mëdha natriumi. Këto ushqime përfshijnë djathin e freskët, lëngjet e perimeve dhe fasulen e konservuar.

Trupi ka nevojë për një sasi të caktuar natriumi për funksionimin normal, dhe më e mira është ta merrni atë përmes ushqimeve të plota, minimalisht të përpunuara.

„Perimet e freskëta, frutat, arrat pa kripë, vezët, mishi i freskët, peshku dhe produktet e zakonshme të qumështit përmbajnë natyrshëm sasi të vogla natriumi, që janë krejtësisht të mjaftueshme“, thotë Lee.

„Duke marrë parasysh sa kripë ka në restorante dhe produktet e përgatitura, gatimi në shtëpi me përbërës të freskët mund të jetë një ndryshim shumë efektiv“, shton ai.

Zakone të tjera, si kontrolli i konsumit të alkoolit, ushtrimi i rregullt dhe vizitat te mjeku, janë gjithashtu të rëndësishme.

„Sa më pak alkool, aq më mirë, sepse nuk ka sasi që është plotësisht e sigurt për mëlçinë“, thekson Lee.

Ai këshillon njerëzit që kanë faktorë rreziku, si diabeti, obeziteti ose konsum i shpeshtë i alkoolit, të flasin me mjekun e tyre për një kontroll për vlerësimin e fibrozes së mëlçisë.

„Sëmundjet e mëlçisë mund të shërohen nëse zbulohen në kohë“, përfundon Lee.

Lajme të ngjashme