Nipërka e Donald Trump publikoi një fotografi nga spitali dhe zbuloi se ka pasur operacion

Kai Trump, nipërka 19-vjeçare e presidentit amerikan Donald Trump, do të duhet të ndërpresë sezonin e saj të parë në golfin universitar në Universitetin e Majamit, pasi iu nënshtrua një operacioni në kyçin e dorës së majtë. Sportistja e re ndau lajmin në rrjetet sociale, disa javë pasi u lëndua gjatë turneut të saj të parë universitar.
Kai publikoi një fotografi nga shtrati i spitalit në Nju Jork, ku shihet duke buzëqeshur ndërsa mban gips dhe ortozë në dorë. Ajo shpjegoi se u lëndua gjatë turneut të parë të sezonit dhe se, pas bisedave me familjen, trajnerët dhe ekipin mjekësor, vendosi të operohet.
"Edhe pse shpresoja të shmang operacionin, pas bisedave me familjen time, trajnerët dhe ekipin mjekësor, e di që kjo është vendimi më i mirë për shëndetin tim afatgjatë dhe për të ardhmen time në sportin që dua", shkroi ajo.
"Nuk i imagjinoja muajt e ardhshëm kështu, por rruga e jetës herë pas here merr kthesa të papritura. Vendosa ta përballoj këtë me durim dhe vendosmëri të madhe", shtoi ajo.
"Aktualisht, prioriteti im kryesor është të shërohem dhe të kem besim në procesin e rikuperimit. Mezi pres të kthehem te ekipi im dhe te gjërat që dua. Do të kthehem më shpejt sesa mendoni – më e fortë dhe më mirënjohëse se kurrë!"
Ajo u lëndua gjatë turneut të saj të parë për Majamin. Këtë verë, Kai Trump filloi vitin e saj të parë në Universitetin e Majamit, ku luan për ekipin universitar të golfit. Lëndimi ndodhi në shtator, gjatë turneut "Golfweek Fall Classic" në Karolinën e Jugut – që ishte paraqitja e saj e parë për ekipin e Majamit.
Operacioni erdhi në një periudhë sfiduese për Kai. Përveç problemeve me kyçin dhe përshtatjes me jetën studentore, ajo këtë vit duhej të përballej edhe me sëmundjen e nënës së saj.
Nënës së saj, Vanessa Trump, më parë këtë vit i u diagnostikua kanceri i gjirit. Në korrik, gjatë ndarjes së çmimeve "ESPY", Kai përmendi se nëna e saj ndihet më mirë dhe se po fillon fazën tjetër të trajtimit. Megjithatë, Kai deklaroi se mbetet e fokusuar në rikuperimin e saj dhe në kthimin në golf.
foto/EPA



