E hënë, 2 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Nutritionistët përzgjedhën gjashtë pije që kanë më shumë sheqer se sa mendoni

Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm sa sheqer konsumojnë çdo ditë përmes pijeve. "Sheqernat e shtuar lidhen me një numër të madh problemesh shëndetësore, duke përfshirë rrezikun e shtimit të peshës trupore, sëmundjet e zemrës dhe disa lloje kanceri", paralajmëron nutricionistja Sara Garun për "EatingWell".

Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon jo më shumë se 36 gramë sheqer të shtuar në ditë për burrat dhe 25 gramë për gratë, shkruan "Index".

Për krahasim, një kroasan i thjeshtë i glazuruar, pa mbushje dhe shtesa të tjera, mund të përmbajë rreth 13 gramë sheqer, në varësi të madhësisë dhe prodhuesit. Nutricionistët përzgjedhin gjashtë lloje të njohura pije, të cilat në disa porcione mund të përmbajnë më shumë sheqer se një kroasan i tillë.

Çaj i ftohtë i ëmbëlsuar
Edhe pse çaji i ftohtë i thjeshtë nuk përmban sheqer, versionet e ëmbëlsuara mund të kenë 19 ose më shumë gramë sheqer të shtuar në rreth 240 mililitra.

"Edhe pse mund të duket si një alternativë më e shëndetshme ndaj pijeve me gaz, shumica e çajrave të ftohtë janë të mbushura me sheqer të shtuar", thotë nutricionistja Eimi Braunstein. Ajo ju këshillon të kontrolloni deklaratat pasi sasia e sheqerit ndryshon nga produkti në produkt.

Çajra të ëmbëlsuar me mjaltë
Çajrat e ëmbëlsuar me mjaltë shpesh paraqiten si një zgjedhje më e shëndetshme, por mjalti konsiderohet gjithashtu si sheqer i shtuar.

"Edhe pse konsiderohet më natyral, mjalti është ende sheqer i shtuar i cili duhet të monitorohet", shpjegon Braunstein. Disa çajra me mjaltë të disponueshëm në treg përmbajnë rreth 18 gramë sheqer të shtuar në rreth 240 mililitra.

Pije me gaz
Pijet e ëmbëlsuara me gaz mund të përmbajnë rreth 15 gramë sheqer të shtuar në rreth 240 mililitra, dhe megjithatë nuk japin ndjesinë e ngopjes. Garun i përshkruan si burim i kalorive boshe.

Studimet lidhin konsumimin e rregullt të pijeve të ëmbëlsuara me shtim në peshë dhe rrezik më të madh për sëmundje kardiovaskulare.

Limonatë
Sasia e sheqerit në limonatë varet nga mënyra e përgatitjes. Për shembull, rreth 240 mililitra limonatë e blerë në dyqan mund të përmbajë 28 gramë sheqer të shtuar, ndërsa limonata e përgatitur nga koncentrat i ngrirë mund të përmbajë rreth 25 gramë.

"Edhe pse gjithë ai sheqer i shtuar mund të zbusë aciditetin e limonit, nuk bën asgjë të mirë për shëndetin tuaj", paralajmëron Garun.

Pije sportive
Pijet sportive mund të përmbajnë 15 ose më shumë gramë sheqer në rreth 240 mililitra.

Nutricionistja Eiveri Zenker shpjegon se sheqeri në këto pije mund të jetë i dobishëm për sportistët gjatë përpjekjeve të gjata, por nuk është i nevojshëm për të gjithë.

"Problemi është se pijet sportive shpesh i konsumojnë njerëz që nuk ushtrojnë aktivitet fizik intensiv", thekson ajo. Uji zakonisht është i mjaftueshëm për hidratimin ditor.

Pije kafeje të ëmbëlsuara
Kafeja e zakonshme nuk përmban sheqer të shtuar, por pijet me shurup, shkumë të ëmbëlsuar dhe krem mund ta përmbajnë atë në sasi të mëdha.

"Pijet kremoze të kafes së ftohtë dhe variantet sezonale shpesh përmbajnë shumë sheqer", thekson nutricionistja Kendra Hejr.

Vetëm dy lugë shurup vanilje mund të shtojnë më shumë se 20 gramë sheqer. Prandaj Hejr këshillon të porosisni pije me më pak shurup ose të zgjidhni late ose kapuçino pa sheqer.

Lajme të ngjashme