Inflacioni vjetor në Eurozonë u rrit në katër për qind në tetor

Inflacioni vjetor në Eurozonë, sipas vlerësimit paraprak "të shkurtër", u rrit nga 3.8 për qind në shtator në katër për qind, duke arritur kështu në nivelin më të lartë në tre vitet e fundit, njoftoi sot "Eurostat".
Kontributi më i madh për rritjen e çmimeve vijon të vijë nga energjia, çmimet e së cilës në tetor ishin 20.8 për qind më të larta se një vit më parë, pas një rritjeje prej 18.9 për qind në shtator.
Inflacioni në sektorin e shërbimeve në Eurozonë u përshpejtua nga 3.2 për qind në nivel vjetor në 3.3 për qind, çmimet e ushqimit, alkoolit dhe duhanit nga 1.3 për qind në 1.6 për qind, ndërsa çmimet e produkteve industriale pa energji nga 1.1 për qind në 1.2 për qind, transmeton Tanjug.
Inflacioni bazë vjetor në Eurozonë, i cili përjashton energjinë, ushqimin, alkoolin dhe duhanin, është 2.5 për qind, po aq sa në shtator.
Në mesin e ekonomive më të mëdha të Eurozonës, inflacioni i matur sipas indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit (HICP) u përshpejtua në Francë, nga 3.4 për qind në shtator në 3.8 për qind, në Itali nga 4.2 për qind në 5.6 për qind dhe në Holandë, nga tre për qind në 3.3 për qind, sipas Eurostat në faqen e saj të internetit.
Në të kundërt, inflacioni në Gjermani u ngadalësua nga 3.3 për qind në 2.8 për qind, dhe në Spanjë nga pesë për qind në 4.9 për qind.



