Komuna Qendër sot shënon 50 vjetorin e themelimit të saj

Komuna Qendër sot shënon 50 vjetorin e themelimit të saj. Kryetari i komunës, Goran Gerasimovski, thotë se ky jubile është një rast për të kujtuar zhvillimin e Komunës, por edhe për të theksuar ndryshimet dhe rezultatet me të cilat Qendra vazhdon të zhvillohet si një bërthamë moderne urbane e Shkupit.
"Jam i lumtur dhe krenar që pikërisht gjatë mandatit tim si kryetar shënojmë këtë jubile të madh. Qendra ka një të kaluar të pasur, një frymë të fortë urbane dhe një të ardhme të madhe që po e ndërtojmë së bashku. Gjatë pesë viteve të fundit kemi punuar që komuna të jetë më moderne, më e aksesueshme, më transparente dhe më afër çdo qytetari. Një komunë ku çdo njeri është i mirëpritur, çdo zë dëgjohet dhe çdo denar investohet me përgjegjësi", thekson kryetari Goran Gerasimovski.
Ai kujtoi se gjatë mandatit të tij janë realizuar një sërë projektesh në arsim, mbrojtjen e fëmijëve, sport, infrastrukturë dhe shërbime për qytetarët.
"Është ndërtuar kopështia "Pranvera", me kapacitet për 173 fëmijë, është rinovuar palestra sportive "Rabotniçki", janë rikonstruktuar rrugë, janë zgjeruar shkolla dhe janë përmirësuar kushtet për arsim dhe qëndrim të të rinjve. Paralelisht, komuna investon në transformimin e gjelbër dhe energjetik, burimet e rinovueshme të energjisë, parqe të reja dhe hapësira të gjelbra, si dhe në programe për mbështetje të nxënësve, të rinjve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara", thotë Gerasimovski.
"Çdo projekt ka historinë e vet, por të gjithë kanë të njëjtin qëllim – një Qendër më të mirë për të gjitha gjeneratat. Më bën veçanërisht përshtypje besimi që qytetarët më dhanë për një mandat të dytë. Kjo është një detyrë për të vazhduar edhe më fuqishëm, me ide të reja, projekte ambicioze dhe rezultate konkrete. Besoj se vlera më e madhe e një komune janë njerëzit dhe kushtet që u krijon për jetesë", shton Gerasimovski.



