Mali i Zi në Bashkimin Evropian: zbulohet data kur mund të nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit

Të mërkurën, së bashku me raportin për përparimin e vendeve në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian do të publikojë udhëzime që përmbajnë një kornizë kohore dhe hapa konkretë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi, i cili deri tani ka bërë më shumë përparim në rrugën drejt anëtarësimit.
Sipas planit të Komisionit Evropian, Mali i Zi duhet të mbyllë të gjitha 12 kapitujt e mbetur të negociatave deri në fund të këtij viti. Parashikohet që gjashtë kapituj të mbyllen gjatë nëntorit, ndërsa gjashtë të tjerët duhet të mbyllen në dhjetor, raporton gazeta zagrebeze "Jutarnji list", e cila ka pasur qasje në draftin e dokumentit.
Gjatë pranverës së vitit të ardhshëm duhet të përfundojë puna për përgatitjen e marrëveshjes së anëtarësimit, ndërsa qershori është caktuar si afati paraprak për nënshkrimin e saj, sipas shkrimeve.
Derisa atëherë, marrëveshja duhet të miratohet nga të gjitha 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe nga Mali i Zi. Pastaj, dokumenti duhet të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të Bashkimit, si dhe në gjuhën malazeze. Deri atëherë, Komisioni Evropian duhet të konfirmojë se Mali i Zi është i gatshëm për anëtarësim, ndërsa Parlamenti Evropian duhet të japë pëlqimin.
Sidoqoftë, Komisioni në dokument thekson se bëhet fjalë për një plan kohor të përkohshëm që nuk parashikon rezultatin përfundimtar të procesit, shpejtësinë e negociatave apo ndonjë vendim të ardhshëm të Këshillit të BE-së, Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian, shkruajnë mediat në rajon.



