E martë, 3 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Misajllovski njoftoi rritje prej 10 përqind të pagave në Ushtri dhe mbrojtje

Ministri i mbrojtjes, Vlado Misajllovski, njoftoi një rritje prej dhjetë përqind të pagave për të gjithë anëtarët e Ushtrisë maqedonase dhe të punësuarit në mbrojtje nga janari i vitit të ardhshëm. Rritja e pagave, tha ministri, është "një hap historik, rritja më e madhe historike në vlerë absolute."

"Nëse punojmë së bashku mund të ketë rezultate të shkëlqyera. Mesatarisht paga do të rritet nga 4.000 deri në 11.000 denarë, që është në vlerë absolute rritja më e madhe historikisht deri tani. Do të vazhdojmë me punë, vazhdojmë me shumë projekte, vazhdojmë me dialog social", theksoi ministri.

Misajllovski uroi anëtarët e Ushtrisë dhe të punësuarit në mbrojtje, për të cilët, tha, e meritojnë këtë rritje.

Nënkryetari i Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes, Siniša Stançevski, theksoi se dialogu sindikal jep rezultate dhe se si sindikatë përfaqësuese janë krenarë për arritjet në periudhën e kaluar.

"Me ndihmën e ministrit dhe kryeministrit arritëm të sigurojmë një rritje prej 10 përqind të të ardhurave nga 1 janari. Gjithashtu, arritëm që [ushtarëve profesionistë] që mbushin 45 vjeç t'u mundësojmë të qëndrojnë me dinjitet në Ushtri. Këto reforma nuk do të ishin të mundura pa angazhimin e ministrit dhe mendoj se me këtë mënyrë pune do të arrijmë edhe arritje më të mira", tha Stançevski.

Adnan Aliti nga Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë, nga ana tjetër, deklaroi se bëhet fjalë për një "akt historik." Aliti shtoi se rritja e pagave dhe reforma që përfshin mundësinë për vazhdimin e marrëdhënies së punës së ushtarëve profesionistë brenda Ushtrisë, janë dy përfitime të rëndësishme, si dhe se aktualisht po punohet në Marrëveshjen e re Kolektive me të cilën të punësuarit do të gëzojnë të drejta edhe më të mëdha.

Ministri Misajllovski dhe përfaqësuesit sindikal njoftuan se dialogu vazhdon dhe se fokusi në mbrojtje mbeten të punësuarit si kapacitet që siguron siguri dhe mbrojtje.

Lajme të ngjashme