E hënë, 2 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

"Rajaner" po mendon për ngrirjen e pagave

"Rajaner" po mendon për ngrirjen e përkohshme të pagave të punonjësve, me qëllim mbulimin e rritjes së papritur të kostove të karburantit.

Kompania irlandeze me buxhet të ulët parashikon që çmimet e karburantit të mbeten të larta "deri në vitin 2027", përveç nëse konflikti në Iran zgjidhet shpejt. Nga "Rajaner" vlerësojnë se kostot e karburantit do të rriten me dy miliardë euro në afat të shkurtër, dhe gjithashtu parashikojnë rritje të çmimeve të biletave të avionit në Evropë, gjë që do të ndihmonte për të kompensuar pjesërisht këto shpenzime.

Sidoqoftë, kompania konsideron se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme, prandaj po shqyrton një sërë masash, përfshirë edhe "ngrirjen e përkohshme të pagave". BBC kërkoi koment nga sindikata Unite, e cila përfaqëson punonjësit e "Rajaner".

Blerje paraprake e 80 për qind të karburantit të nevojshëm

Fitimi i "Rajaner" para taksave, për periudhën gjashtëmujore që përfundoi në fund të shtatorit, është ulur me 16 për qind, në 2.4 miliardë euro, kryesisht për shkak të kostove më të larta të karburantit. Nga kompania thanë se janë mbrojtur nga rritja e çmimeve përmes blerjes paraprake të 80 për qind të karburantit të nevojshëm me çmime fikse. Megjithatë, kostot për 20 për qind të mbetur janë dyfishuar.

Çmimet e karburantit të avionëve janë rritur ndjeshëm këtë vit për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, që ka çuar në uljen e ofertës së derivateve të rafinuara të naftës nga vendet e Gjirit Persik dhe ka forcuar konkurrencën për karburant të prodhuar në pjesë të tjera të botës. Drejtori ekzekutiv i "Rajaner", Majkl O’Liri, muajin e kaluar deklaroi se pret që kompania e tij, si dhe operatorët e tjerë ajrorë, vitin e ardhshëm të rrisin çmimet e biletave me 15 deri në 20 për qind.

Lajme të ngjashme