Melania Trump përshëndeti bashkëpunimin midis Rusisë dhe Ukrainës: Shpresoj për paqe të qëndrueshme

Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, sot njoftoi se misioni humanitar në qytetin ukrainas Oleshki, i cili është nën kontrollin rus, është përfunduar me sukses dhe ka mundësuar dërgimin e ndihmave kyçe në atë rajon, si dhe evakuimin e afërsisht 800 personave.
"Në emër të Amerikës, përgëzoj Rusinë dhe Ukrainën për udhëheqjen dhe bashkëpunimin e tyre lidhur me armëpushimin në Oleshki. Shpresoj që Oleshki të shërbejë si bazë për një paqe të qëndrueshme midis dy vendeve", shkroi ajo në rrjetin X.
Armëpushimi filloi më 27 tetor dhe përfundoi më 1 nëntor, siç ishte planifikuar, shtoi Melania Trump.
Marrëveshja për ndërprerjen e përkohshme të zjarrit për të mundësuar një mision humanitar për evakuimin e banorëve të qytetit Oleshki në rajonin e Khersonit u arrit me pjesëmarrjen e bashkëshortes së presidentit amerikan, Melania Trump.
Komisionerja ruse për të drejtat e njeriut, Yana Lantratova, dhe avokati ukrainas i popullit, Dmytro Lubinets, deklaruan këtë mëngjes se armëpushimi ka përfunduar dhe se të dyja palët kanë përmbushur të gjitha detyrimet lidhur me armëpushimin, të dakorduara për arsye humanitare.
"Të dyja palët kanë përmbushur të gjitha detyrimet. Kjo mundësoi dërgimin e ndihmave tek banorët dhe largimin e sigurt vullnetar të atyre që vendosën të largohen nga qyteti", deklaroi Lantratova në një postim në platformën Max, transmeton RIA Novosti.
Sipas saj, operacioni u zhvillua pa incidente.
Sipas agjencisë ruse, aktualisht po shqyrtohet vazhdimi i misioneve humanitare.
Lantratova shtoi se është e nevojshme të ruhet bashkëpunimi për të siguruar furnizim të rregullt me mallra bazë.
Avokati ukrainas i popullit, Dmytro Lubinets, gjithashtu shkroi në rrjetin X se armëpushimi ka përfunduar dhe se kjo është një hap i rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta humanitare me komisioneren ruse për të drejtat e njeriut Yana Lantratova, me koordinimin e zonjës së parë të SHBA-së, Melania Trump.
"Gjatë kësaj periudhe, të dyja palët kanë përmbushur detyrimet e tyre. Kjo mundësoi dërgimin e ndihmave humanitare në Oleshki dhe sigurimin e ndihmës për civilët që dëshironin të largoheshin në mënyrë të sigurt nga qyteti", deklaroi ai.



