Mediet: Arrestohet pronari i “Alta Bankës”, Davor Macura

Davor Macura, pronari i “Alta Bankës”, e cila u shpall në falimentim, u arrestua mbrëmë, raportojnë mediet në rajon.
Kujtojnë se Banka Popullore e Serbisë ka ngritur padi penale në Prokurorinë Publike për Krim të Organizuar kundër personit juridik “Alta Banka” a.d. Beograd dhe disa persona përgjegjës në atë bankë.
Prokuroria, sipas shkrimeve, thekson se padi penale u është dorëzuar atyre përmes postës elektronike, dhe se nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Shërbimi për Luftën kundër Krimit të Organizuar (SBPOK) është kërkuar të veprojnë menjëherë dhe të verifikojnë tërë veprimtarinë e bankës dhe të gjitha rrethanat që çuan në heqjen e lejes për punë.
Më 27 tetor, Prokuroria Publike për Krim të Organizuar ka dorëzuar kërkesë te Banka Popullore e Serbisë për mbledhjen e informacionit dhe të dhënave të nevojshme për të gjitha transaksionet e kryera jashtë vendit në periudhën nga 27 shtatori deri në datën e dorëzimit të raportit, më 27 tetor.
Sipas kësaj kërkese, Banka Popullore e Serbisë më 30 tetor i ka dorëzuar Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar informacionet që ka në raportet tremujore deri më 20 shtator, ndërsa raporti për periudhën e kërkuar, siç thekson Banka Popullore e Serbisë, do të mund të dorëzohet pas 4 nëntorit, shkruajnë mediet.
Siç shtohet, më 29 tetor është dërguar një kërkesë e re te Banka Popullore e Serbisë për mbledhjen e të dhënave lidhur me konvertimin dhe daljen e fondeve nga llogaria e “Alta Bankës” a.d. Beograd, jashtë vendit.
Më 30 tetor, Prokuroria Publike për Krim të Organizuar ka dorëzuar te Ministria e Punëve të Brendshme, Shërbimi për Luftën kundër Krimit të Organizuar, kërkesë për verifikimin e veprimtarisë së “Alta Bankës” a.d. Beograd, si dhe personave përgjegjës në Bankën Popullore të Serbisë, lidhur me mundësitë e daljes së fondeve nga llogaria e “Alta Bankës” a.d. Beograd dhe transferimet e parave jashtë vendit.
Në mbledhjen e sotme, Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore të Serbisë ka marrë vendim për heqjen e lejes për punë të “Alta Bankës” a.d. Beograd.
Banka Popullore e Serbisë më parë kishte njoftuar se Agjencia për Sigurimin e Depozitave do të caktohet si administratore e falimentimit me vendim gjyqësor, sipas shkrimeve në mediet serbe.


