E shtunë, 31 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Banka Popullore e Serbisë i hoqi lejen për punë Alta Bankës, do të ndjekë falimentimi

Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore të Serbisë ka marrë vendim për heqjen e lejes për punë të Alta Bankës AD Beograd, njoftoi portali serb "Blic".

Me vendim gjyqësor, Agjencia për sigurimin e depozitave do të emërohet si administratore falimentimi e bankës.

Nga Banka Popullore e Serbisë bëjnë me dije se para heqjes së lejes janë kryer aktivitete kontrolli të orientuara drejt rritjes së likuiditetit të bankës. Gjatë kontrollit u konstatua se gjendja financiare e saj është përkeqësuar ndjeshëm në periudhën e kaluar, si dhe se ekziston mundësia për përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes financiare dhe likuiditetit.

Për këtë arsye, janë rrezikuar interesat e depozituesve, domethënë klientëve që kanë depozituar mjete në bankë, thuhet në njoftim.

Vendimi është marrë bazuar në Ligjin për bankat, pasi janë përmbushur kushtet ligjore për heqjen e lejes. Siç shpjegojnë nga Banka Popullore, qëllimi është mbrojtja e interesave të depozituesve dhe ruajtja e stabilitetit të sistemit financiar.

Agjencia për sigurimin e depozitave brenda shtatë ditëve pune duhet të mundësojë pagesën e shumave të sigurta dhe disponimin e mjeteve të depozituesve, në përputhje me Ligjin për sigurimin e depozitave.

Vendimi i referohet Alta Bankës në Serbi, ndërsa Alta Banka AD Bitola më parë njoftoi se është një person juridik i pavarur, likuid dhe vazhdon me punë normale.

Lajme të ngjashme