Mbi 5.000 të vdekur nga ebola në Kongo, numri i të infektuarve kalon 10.000

Mbi 5.000 persona kanë vdekur nga ebola në Republikën Demokratike të Kongos që nga mesi i majit, njoftuan autoritetet shëndetësore në vend. Deri tani janë konfirmuar 5.026 raste vdekjesh, ndërsa numri i të infektuarve ka arritur në 10.351.
Aktualisht, 1.101 persona janë duke u trajtuar ose janë në karantinë, ndërsa 2.788 persona që më parë ishin infektuar janë shëruar nga sëmundja.
Sidoqoftë, numri i vërtetë i të vdekurve mund të jetë edhe më i madh, pasi ekspertët mendojnë se virusi mund të jetë përhapur pa u vënë re që nga shkurt, disa muaj para shpalljes zyrtare të epidemisë më 15 maj.
Epidemia, e shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit ebola, po përhapet me një shpejtësi shqetësuese. Raste infektimi janë raportuar edhe në vende të tjera, përfshirë Kenian, ku infeksioni lidhej me një shtetas kenian që u infektua në Kongo dhe më pas vdiq.
Më 20 tetor, Nigeria raportoi rastin e parë të ebolës. Bëhet fjalë për një shtetas zviceran që u sëmur disa ditë pas kthimit nga një udhëtim disa javor në Ugandë.
Në Evropë deri tani është regjistruar një rast – një mjek në Francë që në qershor rezultoi pozitiv me virusin pas një misioni humanitar në pjesën lindore të Kongos. Ai më pas u shërua dhe u lirua nga spitali.
Ebola është një sëmundje e rrezikshme për jetën që transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me persona të infektuar ose me lëngjet e tyre trupore. Mund të shkaktojë temperaturë të lartë, diarre dhe gjakderdhje.



