E hënë, 2 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Banka Popullore: “ALTA banka” AD Bitola vazhdon të funksionojë – administrimi është masë e përkohshme për mbrojtjen e Bankës dhe kursimtarëve deri në ndryshimin e pronësisë

Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vendosur administrim të përkohshëm në “ALTA banka” AD Bitola ekskluzivisht për shkak të ngjarjeve të lidhura me aksionarin e saj me pjesëmarrje të kualifikuar, “Alta banka” AD Beograd, thonë nga BP në njoftimin me shkrim.

Është e rëndësishme të theksohet se vendosja e administrimit të përkohshëm nuk do të thotë mbyllje e “ALTA banka” AD Bitola, as aktivizim i mekanizmit për pagesën e depozitave përmes Fondit për sigurimin e depozitave. Përkundrazi, qëllimi i kësaj mase të përkohshme mbrojtëse është që Banka të vazhdojë të funksionojë pa pengesa, mjetet e klientëve të mbeten në llogaritë e tyre, dhe pasuria dhe interesat e të gjithë kursimtarëve dhe kreditorëve të tjerë të mbrohen deri në zgjidhjen e gjendjes së pronësisë, domethënë ndryshimin e pronësisë së Bankës, thonë nga Banka Popullore.

Bëhet fjalë për një masë të përkohshme mbrojtëse, jo për procedurë mbylljeje të Bankës. “ALTA banka” AD Bitola vazhdon të funksionojë, nuk është në falimentim dhe nuk i është hequr leja për punë. Banka është likuide, me kapital të lartë, me cilësi të mirë të portofolit të kredive dhe plotëson standardet mbikëqyrëse, shtojnë nga Banka Popullore.

Gjatë periudhës së administrimit të përkohshëm, Banka Popullore sqaron se:

  • “ALTA banka” AD Bitola punon dhe vazhdon t’u sigurojë shërbimet klientëve të saj. Masat e marra ndaj “Alta banka” AD Beograd nuk nënkuptojnë heqjen e lejes për punë të “ALTA banka” AD Bitola, as hapjen e procedurës së falimentimit.
  • Banka është likuide, me kapital të lartë dhe ka cilësi të mirë të portofolit të kredive, ndërsa funksionimi i saj është subjekt i mbikëqyrjes së drejtpërdrejtë nga Banka Popullore.
  • Vendosja e administrimit është masë e përkohshme me të cilën menaxhimi i pasurisë dhe funksionimi i Bankës kryhet përkohësisht nga persona të emëruar nga Banka Popullore. Qëllimi është ruajtja e stabilitetit të Bankës dhe mbrojtja e mjeteve dhe interesave të klientëve të saj deri në ndryshimin e strukturës së pronësisë.
  • Mjetet e klientëve mbeten në llogaritë e tyre. Është kufizuar përkohësisht vetëm dinamika e daljes së mjeteve, me qëllim parandalimin e tërheqjes së shpejtë dhe masive të likuiditetit, e cila mund të ndikojë në interesat e të gjithë kursimtarëve.
  • Për personat fizikë është përcaktuar një limit javor për tërheqje nga llogaritë në shumën prej 10.000 denarë, i cili mund të përdoret me kartat e lëshuara nga Banka për tërheqje të parasë në dorë dhe pagesa tek tregtarët. Pagesat e brendshme nga llogaritë e personave fizikë drejt llogarive të personave të tjerë fizikë dhe juridikë brenda Bankës mbeten të mundshme në shumën e pakufizuar.
  • Personat juridikë do të mund të kryejnë vetëm pagesa të brendshme nga llogaritë e tyre drejt llogarive të personave të tjerë juridikë dhe fizikë brenda Bankës në shumën e pakufizuar. Personat juridikë nuk do të mund të nxjerrin mjete jashtë Bankës përmes sistemeve të pagesave në vend, as përmes tërheqjes së parasë në dorë nga bankomatët ose sportelet e Bankës.
  • Pagesat hyrëse nga jashtë përmes SEPA dhe bankarisë korresponduese do të kryhen pa pengesa, ndërsa pagesat dalëse drejt jashtme nuk do të jenë të disponueshme përkohësisht për personat fizikë dhe juridikë.
  • Përdoruesit e kredive duhet të vazhdojnë të përmbushin në kohë detyrimet e tyre ndaj Bankës.
  • Depozitat kursimore të personave fizikë janë të sigurta përmes Fondit për sigurimin e depozitave deri në shumën prej 30.000 euro, sipas rregullave ligjore.

Nga Banka Popullore njoftojnë se vazhdimisht monitorojnë gjendjen në Bankë dhe do të rishikojnë kufizimet e vendosura në përputhje me zhvillimin e situatës. Për të gjitha ndryshimet publiku do të informohet në kohë përmes kanaleve zyrtare të Bankës Popullore.

Banka Popullore i bën thirrje qytetarëve dhe klientëve të Bankës të mos marrin vendime bazuar në informacione të pa verifikuara, por të informohen ekskluzivisht nga burimet zyrtare. Tërheqja e panevojshme dhe masive e mjeteve nuk është në interes të kursimtarëve, prandaj është veçanërisht e rëndësishme të shmangen veprimet e shkaktuara nga informacione të pasakta ose të pa konfirmuara, shtojnë nga BP.

Lajme të ngjashme