E diel, 1 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Alta banka nën administrim të përkohshëm, Slaveski zbuloi se janë tërhequr dy milionë euro

Rreth dy milionë euro janë tërhequr në para të gatshme dhe përmes transfertave të tjera nga "Alta banka" AD Bitola deri dje, zbuloi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Slaveski, duke shpjeguar arsyet për vendosjen e administrimit të përkohshëm dhe kufizimin e disponimit të mjeteve të klientëve.

Sipas Slaveskit, informacioni për mjetet e tërhequra është marrë sot në një takim me Bordit Drejtues të bankës, i mbajtur në orën 14:10, pasi Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore tashmë kishte marrë vendimet për vendosjen e masave të përkohshme.

"Ata konfirmuan se deri në ditën e djeshme, përfshirë edhe ditën e djeshme, janë tërhequr në para të gatshme dhe përmes transfertave të tjera rreth 2.000.000 euro nga banka", deklaroi Slaveski.

Ai shpjegoi se për shkak të tërheqjes së shtuar të mjeteve, procesori i kartave të pagesës përkohësisht i ka bllokuar kartat e bankës, por shërbimi është rikthyer përsëri sot rreth orës 12.

Banka Popullore ka vendosur një limit javor prej 10.000 denarësh për pagesat me kartat e lëshuara nga "Alta banka". Slaveski theksoi se gjatë përcaktimit të limitit është marrë parasysh vlerësimi për nevojat e përditshme të qytetarëve, duke përmendur se paga dhe pensioni mesatar së bashku arrijnë rreth 40.000 denarë në muaj.

Masat e përkohshme mund të zgjasin maksimumi tre muaj, por guvernatori pret që problemi të tejkalohet edhe më herët.

Si një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës ai përmendi shitjen e aksioneve që posedon "Alta banka" AD Beograd, për të cilën është paralajmëruar fillimi i procedurës së falimentimit. Sipas Slaveskit, megjithëse bëhet fjalë për informacione jozyrtare, tashmë ka disa blerës të interesuar.

Ai sqaroi se banka e Beogradit do të mbajë të drejtën e pronësisë mbi aksionet, por sipas procedurës ligjore do të duhet t'i ofrojë ato për shitje. Nëse nuk e bën këtë brenda afatit të parashikuar, procedurën do ta kryejë Banka Popullore.

Slaveski theksoi se vendosja e administrimit të përkohshëm nuk do të thotë heqje e lejes për punë të "Alta banka" AD Bitola dhe siguroi se banka vazhdon të funksionojë.

"Banka vazhdon me punë pa pasoja të mëdha", tha guvernatori, duke shtuar se masat janë marrë për mbrojtjen e pasurisë së bankës dhe interesave të kursimtarëve.

Ai njoftoi gjithashtu se bankingu mobil dhe elektronik, të cilët aktualisht nuk janë në dispozicion të klientëve, pritet të rikthehen në funksion në ditët në vijim.

Derisa atëherë, klientët do të mund të disponojnë me mjetet brenda kufizimeve të vendosura, ndërsa transfertat e brendshme ndërmjet llogarive në bankë mbeten të pakufizuara.

Lajme të ngjashme