ZNAM me mesazh për provimin e drejtësisë: Të drejtat gjuhësore duhet të jenë brenda Kushtetutës

Lëvizja ZNAM dënoi ashpër sulmet ndaj presidentit Maksim Dimitrievski, duke vlerësuar se pas tyre qëndrojnë përpjekje për imponimin e narrativave politike dhe agjendave etnike që, sipas partisë, vënë në dyshim karakterin unitar dhe rendin kushtetues të shtetit.
Nga ZNAM reagojnë se kërkesat politike dhe agjendat etnike nuk duhet të paraqiten si luftë për të drejtat qytetare, ashtu siç thonë, të relativizohen vlerat themelore mbi të cilat bazohet shtetësia maqedonase.
"Të drejtat qytetare janë universale dhe të barabarta për të gjithë, por ato nuk duhet të jenë mbulesë për projekte politike që vënë në dyshim unitetin, funksionalitetin dhe sovranitetin e shtetit", theksojnë nga partia.
Në reagim ata i referohen edhe kërkesave aktuale që provimi i drejtësisë të mund të mbahet në gjuhën shqipe. Nga ZNAM thonë se respektojnë të drejtat gjuhësore të të gjithë qytetarëve, por theksojnë se realizimi i tyre duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Qëndrimin e tyre e bazojnë në katër argumente ligjore. I pari i referohet nenit 7 të Kushtetutës, me të cilin gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik janë përcaktuar si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa përdorimi i një gjuhe tjetër zyrtare rregullohet me dispozita të veçanta kushtetuese dhe ligjore.
Si argument të dytë ata përmendin vlerësimin e Komisionit të Venecias nga dhjetori i vitit 2019 për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas ZNAM, Komisioni ka shprehur vërejtje serioze për disa zgjidhje ligjore, veçanërisht në pjesën e zbatimit të tyre në drejtësi, duke treguar për rreziqe të mundshme për efikasitetin e procedurave gjyqësore dhe të drejtën për gjykim të drejtë.
Argumenti i tretë i referohet ligjeve të veçanta që rregullojnë profesionet e drejtësisë. Nga partia theksojnë se Ligji për gjykatat, Ligji për prokurorinë publike, Ligji për avokaturën, Ligji për Akademinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, Ligji për ekzekutimin dhe Ligji për notariatin përmbajnë kushte të lidhura me njohjen e gjuhës maqedonase.
"Njohja e gjuhës maqedonase nuk është formalitet, por pjesë përbërëse e përgatitjes profesionale dhe kusht paraprak për funksionimin ligjor dhe efikas të drejtësisë", theksohet në reagim.
Argumenti i katërt i referohet Ligjit për provimin e drejtësisë dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Nga ZNAM theksojnë se në kuadrin normativ ekzistues nuk është rregulluar mundësia që provimi i drejtësisë të mbahet në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes.
Gjithashtu, bëjnë dallimin mes së drejtës për përdorim të gjuhës zyrtare në procedurat para institucioneve dhe mbajtjes së një provimi profesional në atë gjuhë, duke vlerësuar se bëhet fjalë për çështje me natyrë ligjore të ndryshme.
Sipas partisë, çdo zgjidhje eventuale tjetër duhet të ketë bazë të qartë kushtetuese dhe ligjore, të jetë në përputhje me rregulloret që rregullojnë sistemin e drejtësisë dhe të sigurojë rregulla të barabarta dhe siguri ligjore për të gjithë kandidatët.
Nga ZNAM njoftojnë se nuk do të pranojnë presione politike dhe përpjekje përmes interpretimit selektiv të ligjeve për të imponuar zgjidhje që sipas tyre minojnë rendin kushtetues.
"Vizioni ynë është një shtet me qytetarë të barabartë, me institucione funksionale, sundim të ligjit dhe perspektivë të qartë evropiane. Një shtet ku respektohen të drejtat e çdo qytetari, por edhe detyrimet janë të barabarta për të gjithë", theksojnë nga partia.
Në përfundim të reagimit, nga ZNAM dërgojnë mesazh se nuk do të lejojnë rikthimin e politikave që i lidhin me ndarjet etnike dhe tregtimet politike.
"Nuk do të lejojmë ripërsëritjen e DUİ-land. Ai kohë ka mbaruar! Maqedonia nuk duhet të kthehet përsëri mbrapa, as të jetë peng i politikave që për vite me radhë e kanë mbajtur në vendnumëro. Punojmë dhe angazhohemi për të ndërtuar një kapitull të ri – kapitull stabiliteti, përgjegjshmërie, vlerash evropiane dhe përparimi. Sepse e ardhmja jonë është evropiane, shteti ynë është unitar dhe detyra jonë është Maqedonia", përfundon mesazhi i ZNAM.



