Filipçe: Kemi paralajmëruar për Altha Bank – afër Vuçiqit, para nga krimi, trafik droge, plaçkitur nga populli

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp në Kuvend, tha se LSDM-ja pothuajse një vit paralajmëron për rreziqet nga hyrja e Altha Bank në Maqedoni, bankë për të cilën ekzistonin informacione se është afër Vuçiqit dhe se pas kapitalit të saj qëndrojnë para të dyshimta nga marrëveshje kriminale dhe korruptive, trafik droge dhe para të plaçkitura nga qytetarët. Filipçe theksoi se paralajmërimet janë shndërruar në realitet, dhe pasojat i ndiejnë mijëra qytetarë që nuk mund të qasen në mjetet e tyre.
"Gati një vit më parë paralajmëronim për problemin që atëherë ekzistonte, tani tashmë ka ndodhur me Altha Bank. Paralajmëronim se kjo është një bankë që ka lindur nga një kursimore shumë e vogël, se janë njerëz afër Aleksandar Vuçiqit, miqtë e tij, se në media ka informacione, kishte informacione nga Serbia se këto janë para nga marrëveshje kriminale dhe korruptive, nga trafik droge, para të plaçkitura nga qytetarët", tha Filipçe.
Ai theksoi se përgjegjësia për situatën e krijuar është te pushteti i Mickoskit, i cili mundësoi hyrjen e Altha Bank në vend, ndërsa sot mijëra qytetarë nuk mund të disponojnë me paratë e tyre.
"Dhe ja problemi ndodhi, ndodhi edhe tek ne. Se ky pushtet tek ne në Maqedoni, i udhëhequr nga Kristian Mickoski, është hajdut dhe kriminal, kjo është vetëm një dëshmi tjetër. Fatkeqësisht, tani në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve që do ta ndiejnë këtë në xhepat e tyre. Mijëra njerëz që sot nuk mund të arrijnë te mjetet e tyre, as kartat nuk u funksionojnë, siç dje paralajmëroi guvernatori se do të funksionojë, dukshëm bashkëfajtor në gjithë këtë manipulim dhe gjithë këtë proces të dyshimtë korruptiv kriminal për sjelljen e Altha Bank në vend", tha Filipçe.
Filipçe paralajmëroi se pasojat mund të jenë edhe më të mëdha dhe se qytetarët tashmë janë të shqetësuar për sigurinë e depozitave të tyre edhe në bankat e tjera, dhe theksoi se kryeministri Mickoski, grupi i organizuar kriminal dhe guvernatori Slaveski duhet të përgjigjen për rrezikimin e mjeteve të qytetarëve.
"Kristian Mickoski, grupi i organizuar kriminal dhe guvernatori Trajko Slaveski dukshëm do të ndihmojnë që të plaçkiten midis 150-180 milionë euro nga qytetarët. Kemi frikë se kjo do të ketë edhe efekt domino edhe në banka të tjera, sepse tashmë qytetarë të tjerë që nuk kanë llogari në Altha Bank nga mëngjesi na njoftojnë dhe na thonë se po i kontrollojnë depozitat dhe paratë e tyre në banka të tjera dhe po kontrollojnë disponueshmërinë e këtyre mjeteve", tha Filipçe.



