Nikolovski: Investojmë rreth 11 milionë euro në projekte në Komunën e Karposhit

Zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikolovski, sot zhvilloi një takim pune me kryetarin e komunës së Karposhit, Sotir Lukrovski, ku diskutuan për realizimin e projekteve kapitale që po zbatohen përmes Qeverisë, në bashkëpunim me Komunën.
"Përmes dy thirrjeve që tashmë janë aktive, mbështetja për Komunën e Karposhit nga ana e Qeverisë është rreth 11 milionë euro, prej të cilave drejtpërdrejt përmes Ministrisë së Transportit realizohen rreth 5.5 milionë euro. Nuk ka pjesë të komunës ku nuk punojmë, ku nuk zgjidhim probleme infrastrukturore dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë në periudhën e ardhshme", theksoi Nikolovski.
Zëvendëskryeministri njoftoi bashkëpunim dhe mbështetje të re për komunën e Karposhit
"U dakorduam për një cikël të ri investimesh ku do të ndihmojmë në realizimin e shesheve, në realizimin e rrugëve, kanalizimit atmosferik, kanalizimit fekal dhe rregullimin e hapësirave aty ku është më e nevojshme në komunë. Gjithashtu, siç tha kryetari i komunës, biseduam për zgjidhjen e rrëshqitjeve të tokës, veçanërisht në pjesën që graviton drejt lagjeve Kozle, më tej Trnodol, Zhdanec, për të sanuar tërë atë hapësirë", deklaroi Nikolovski.
Në takim u diskutua edhe për vendet e parkimit si një nga sfidat e komunës
"Në periudhën e ardhshme një nga sfidat kryesore është zgjidhja e problemit me parkimin, veçanërisht në pjesën e lagjeve Karposh 1, Karposh 2, Karposh 3 dhe Karposh 4. Këtu punojmë së bashku me Ndërmarrjen Publike për menaxhimin e hapësirave banesore dhe afariste, për gjetjen e një zgjidhjeje të integruar që duhet të nënkuptojë zgjidhjen e problemit me parkimin përmes ndërtimit të garazheve me kate që do të jenë të aksesueshme për qytetarët, gjithashtu parkim nëntokësor, garazhe nëntokësore me kate që do të nënkuptojnë nga njëra anë hapësira të gjelbra, parqe, dhe nga ana tjetër zgjidhjen e problemit me parkimin. Këto projekte i punojmë së bashku me komunën dhe me Ndërmarrjen Publike për menaxhimin e hapësirave banesore dhe afariste. Aty ku ka nevojë ose projektet janë afër përfundimit do të hyjmë në realizim, në vendet e tjera punojmë në përgatitjen e projekteve dhe pres që në dy deri në tre vitet e ardhshme problemi i plotë me parkimin në Komunën e Karposhit të zgjidhet në këtë mënyrë", shtoi zëvendëskryeministri Nikolovski.



