Një gjerman paditi Google për fotografitë e shtëpisë së tij në Google Maps dhe fitoi çështjen

Fotografitë e objekteve banesore në Gjermani nuk duhet të publikohen në Google Earth dhe Google Maps nëse pronarët kundërshtojnë këtë, vendosi një gjykatë gjermane. Vendimi vjen pasi një pronar shtëpie në Frankfurt paditi Google për përdorimin e imazheve satelitore të pronës së tij. Më parë, i njëjti pronar arriti të kërkojë zbehjen e fotografive të pjesës së përparme të shtëpisë së tij në shërbimet Google Street View dhe Apple Look Around.
Tani, ai nisi një procedurë edhe lidhur me imazhet ajrore në Google Earth dhe Google Maps. Gjykata rajonale në Frankfurt përsëri vendosi në favor të tij, duke konfirmuar se përdorimi i këtyre imazheve pa pëlqimin e tij është i paligjshëm.
"Askush nuk duhet të detyrohet të pranojë shpërndarjen publike të imazheve ajrore të pronës së tij në mbarë botën pa pëlqimin e tij, veçanërisht kur fotografitë tregojnë pjesë të pronës që nuk janë të dukshme për publikun", thuhet në deklaratën e gjykatës.
Në këtë rast, imazhet në Google Earth dhe Google Maps tregonin edhe pjesën e pasme të shtëpisë, të cilën kalimtarët nuk mund ta shohin nga rruga.
Gjykata akuzoi Google se ka marrë imazhet përmes spiunazhit, me arsyetimin se pronarët e pronave nuk ishin njoftuar paraprakisht se satelitët do të fotografonin pjesë të shtëpive të tyre.
Si pasojë, ata nuk kishin mundësi të fshehnin në kohë pjesët e pronës së tyre që nuk dëshironin të ishin të disponueshme publikisht. Gjykatësit gjithashtu përfunduan se Google nuk mund të justifikojë këto veprime duke u thirrur në të drejtën e përdoruesve të internetit për të pasur akses në informacion.



