Ministri malazez: Çështjet e hapura me Kroacinë janë afër zgjidhjes

Ministri malazez i punëve të jashtme, Ervin Ibrahimoviq, njoftoi se vendi i tij është afër zgjidhjes së tri çështjeve të hapura me Kroacinë, disa ditë pasi Zagrebi paralajmëroi se pa zgjidhjen e trashëgimisë së luftës në vitet 1990 nuk do të japë dritën jeshile për hyrjen e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, transmeton Hina.
Kroacia ka dërguar te vendet anëtare të BE-së dhe te udhëheqësit e institucioneve evropiane një dokument me tetë kërkesa që Mali i Zi duhet t’i përmbushë për të marrë mbështetjen e Zagrebit për përfundimin e negociatave të anëtarësimit.
Në mesin e çështjeve të hapura janë anija shkollore "Jadran", përcaktimi i kufirit në Prevlaka, çështja e personave të zhdukur, krimet e luftës, kompensimi i ish-të burgosurve në kampet dhe kthimi i pronës.
Ibrahimoviq paralajmëroi se informacionet zyrtare për pishinën në Kotor, pllakatën përkujtimore në kampin Morinj dhe kompensimin e ish-të burgosurve mund të priten që nesër.
"Besoj se shpejt do të dërgojmë përgjigje për çështjen e ndryshimit të emrit të pishinës në Kotor, për çështjen e pllakës në kampin Morinj, si dhe për kompensimin e ish-të burgosurve nga Morinji", deklaroi Ibrahimoviq për televizionin publik.
Ai shtoi se qeveria e tij "po i trajton këto çështje me përgjegjësi" dhe se të dy shtetet duhet të tregojnë "se janë të gatshme të shohin drejt së ardhmes".
"Nuk duhet të dëmtojmë parimin themelor të anëtarësimit, që është anëtarësimi bazuar në meritë. Ajo që përfshihet në çështjet bilaterale duhet të zgjidhet në nivel bilateral", theksoi ministri.
Mali i Zi, i cili është vendi më i avancuar në negociatat për anëtarësim në BE, ka hapur të gjitha 33 kapitujt negociues, ndërsa 21 prej tyre i ka mbyllur përkohësisht. Podgorica planifikon të përfundojë negociatat deri në fund të këtij viti dhe të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit në vitin 2028.
Megjithatë, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, në takimin e javës së kaluar të Këshillit Evropian në Bruksel i njohu udhëheqësit evropianë me tetë kërkesat kroate. Pas kësaj, nga përfundimet u hoqën përcaktimet kohore që parashikonin marrëveshje për mbylljen e përkohshme të të gjitha kapitujve negociues deri në fund të vitit dhe për përfundimin sa më shpejt të përgatitjes së marrëveshjes së anëtarësimit.
Ibrahimoviq paralajmëroi se Plenkoviq dhe ministri kroat i punëve të jashtme dhe çështjeve evropiane, Gordan Grliç Radman, do të marrin pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 21 dhe 22 tetor në Miloçer, pranë Budvës.



