JP Higjiena Komunale-Shkup vuri në përdorim mjetet e reja speciale komunale

JP Higjiena Komunale-Shkup filloi të përdorë mjetet e reja speciale komunale të destinuara për mbledhjen dhe transportin e mbeturinave komunale në territorin e qytetit të Shkupit dhe për mirëmbajtjen e higjienës së hapësirave publike dhe rrugore, të cilat Ndërmarrja i fitoi përmes një donacioni nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Qyteti i Shkupit.
„Bëhet fjalë për kamionë me kapacitet prej 21, 17, 8 dhe 3 metra kub, cisterna të destinuara për larjen mekanike të rrugëve, si dhe mjete të specializuara për pastrimin mekanik me fshesë.

Përmes vënies në përdorim të mjeteve të reja speciale komunale pritet të rritet ndjeshëm efektiviteti dhe efikasiteti i kryerjes së aktiviteteve operative të Ndërmarrjes në terren“, thonë nga JP Higjiena Komunale-Shkup.

„Ndërmarrja vazhdon edhe me vendosjen e enëve të reja të destinuara për hedhjen e mbeturinave komunale, ndërsa deri tani është kryer zëvendësimi i rreth 500 kontejnerëve. Ekipet e JP Higjiena Komunale-Shkup kryejnë edhe larje manuale në të gjitha lokacionet ku vendosen enët e reja për hedhjen e mbeturinave.

Gjatë javës së kaluar, ekipet e JP Higjiena Komunale-Shkup hoqën 960 metra kub mbeturina të mëdha dhe ndërtimore të hedhura në mënyrë të paligjshme nga hapësirat publike dhe rrugore në të gjitha komunat e Shkupit. Sasia më e madhe e mbeturinave të hedhura në mënyrë të paligjshme u hoq në komunën Qendër, ku u pastruan gjithsej 210 metra kub mbeturina nga deponitë e egra.
Në të njëjtën periudhë, u mblodhën dhe transportuan 3150 ton mbeturina komunale nga familjet dhe subjektet juridike në territorin e qytetit të Shkupit.

Patrulla ekologjike e JP Higjiena Komunale-Shkup javën e kaluar përgatiti 23 procesverbale për persona dhe subjekte juridike të kapura duke shkelur Ligjin për pastërtinë publike. Numri më i madh i procesverbaleve – gjithsej 12, u dorëzuan në territorin e komunës Çair të Shkupit“, njoftoi JP Higjiena Komunale-Shkup.



