CNN: Mbi 58 milionë amerikanë tashmë kanë votuar në zgjedhje

Mbi 58.67 milionë amerikanë tashmë kanë përdorur të drejtën e tyre për votim paraprak në zgjedhjet për Kongres, që përbën një rekord për zgjedhjet që mbahen në mes të mandatit presidencial katërvjeçar, njoftoi Laboratori i Zgjedhjeve i Universitetit të Floridës.
Sipas rrjetit televiziv amerikan CNN, para katër vjetësh ky numër ishte 45.92 milionë, që përbën një rritje prej gati 28 për qind.
Në shtetet federale që mbajnë regjistrin e përkatësisë politike të votuesve, deri tani kanë votuar rreth 12.5 milionë demokratë, 9.1 milionë republikanë dhe 7.4 milionë votues të pavarur.
Sidoqoftë, këto të dhëna nuk zbulojnë për cilët kandidatë janë dhënë këto vota.
Rreth 250 milionë amerikanë kanë të drejtë vote, shkruan media.
Përveç zgjedhjeve për anëtarë të Kongresit, në të gjithë vendin zgjidhen edhe guvernatorë në 36 shtete federale. Gjithashtu, do të mbahen 145 referendume në shtete të ndryshme, që do të përfshijnë çështje nga e drejta për abort deri te reforma e taksës mbi të ardhurat.
Rezultatet e para, të përkohshme, do të publikohen pas mbylljes së vendvotimeve, duke ndjekur zonat kohore.
Rezultatet zyrtare do të konfirmohen më vonë, në përputhje me orarin e përcaktuar në secilin shtet federal veç e veç.
Foto: EPA



