Gjenerali iranian: Burimet amerikano-izraelite janë brenda kapacitetit tonë

Kryetari i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura iraniane dhe komandanti i Shtabit Qendror të Hatam al-Anbiya, gjeneral-major Ali Abdullahi, deklaroi sot se burimet materiale dhe jomateriale të armikut amerikano-izraelit janë "brenda kapacitetit" të forcave iraniane dhe se Irani do të përgjigjet ndaj çdo kërcënimi pa kufizime gjeografike.
Në një mesazh me rastin e 13 nëntorit, Ditës Kombëtare të Luftës kundër Arrogancës Globale, Abdullahi vlerësoi se Irani, pas "Luftës së Tretë të Imponuar", është shfaqur si një pol i katërt në rritje fuqie në botë dhe se kontrolli mbi ngushticën e Hormuzit është një faktor i rëndësishëm në ndryshimin e rendit global, njoftoi "Irib".
Ai tha se Irani nuk dëshiron luftë, por se doktrina e tij ushtarake është zhvendosur nga mbrojtja në "inisiativë sulmuese" dhe nga menaxhimi i krizave në ndërtimin e rendit.
Abdullahi theksoi pesë parimet e planit të Iranit për siguri të qëndrueshme: përfundimi i luftës në të gjitha frontet, veçanërisht në Liban dhe Gaza, heqja e plotë e sanksioneve dhe lirimi i fondeve të ngrira iraniane, pagesa e reparacioneve për luftërat e imponuara, njohja e sovranitetit iranian mbi ngushticën e Hormuzit dhe krijimi i marrëveshjeve të sigurisë në Azinë Perëndimore që nuk varen nga forcat e huaja.
Sipas tij, këto parime nuk përbëjnë një plan paqeje nga pozicioni i dobësisë, por një doktrinë për ndërtimin e rendit bazuar në forcë dhe rezistencë.
Duke folur për gatishmërinë ushtarake, Abdullahi theksoi se forcat e armatosura iraniane, me mbështetjen e popullit, mbajnë gatishmërinë luftarake në nivelin e "parandalimit maksimal".
Ai deklaroi se kanë përditësuar bazën e objektivave dhe janë të përgatitur të përgjigjen drejtpërdrejt dhe në mënyrë efektive ndaj çdo niveli dhe lloji kërcënimi, pa kufizime gjeografike.
Në mesazh, ai përsëriti akuzat kundër SHBA-së, duke thënë se armiqësia amerikane ndaj Iranit zgjat dekada dhe përfshin mbështetjen për Irakun gjatë luftës tetëvjeçare, sanksione, atentate ndaj shkencëtarëve iranianë dhe pjesëmarrje në konflikte me Izraelin, transmeton Tanjug.



