Miteva: Deklaratat se gratë kanë nevojë për „mbikëqyrje mashkullore“ janë poshtëruese

Me neveri dhe mosbesim të thellë i ndoqa deklaratat e Petar Bogojeskit për gratë dhe nevojën e pretenduar për „mbikëqyrje mashkullore“. Këto janë perceptime poshtëruese, retrgrade dhe të rrezikshme që ofendojnë dinjitetin dhe godasin drejtpërdrejt vlerat e një shoqërie demokratike, thotë kryetarja e Bashkimit të Grave të VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
Ajo thotë se të flasësh për gruan si një person që ka nevojë për mbikëqyrje është e papranueshme dhe se këto deklarata meritojnë dënuar publikisht në mënyrë më të ashpër.
„Të flasësh për gruan si një person që ka nevojë për mbikëqyrje është e papranueshme. Më e keqja, në deklaratat e tij relativizohet dhuna në marrëdhëniet partnere dhe kjo është e rrezikshme dhe meriton dënim publik më të ashpër. Si kryetare e Bashkimit të Grave të VMRO-DPMNE-së, por mbi të gjitha si grua, i dënoj me ashpërsi këto qëndrime. Përpjekja jonë për „Një më shumë“ është pikërisht e kundërta e gjithçkaje që dëgjuam. Për një grua më shumë që do të marrë mundësinë, që do të respektohet, që do të jetë e lirë të vendosë, të krijojë, të udhëheqë dhe të arrijë“, thotë Miteva.
Sipas saj, kjo është çështje e vlerave elementare të civilizimit. Ajo thotë se nuk ka vend për këto perceptime dhe nuk ka hapësirë për heshtje, as për relativizim.
„Liria e fjalës është një vlerë themelore demokratike, por dukshmëria mediatike nuk është e drejtë për këdo që përdor fyerje dhe poshtërim. Vlen të mendohet nëse dhe në çfarë mase duhet t’u jepet hapësirë këtyre qëndrimeve, veçanërisht kur me to minohet dinjiteti“, thotë Miteva.



