E martë, 3 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Ish-drejtori i “Lotarisë” liruar nga paraburgimi, Gjykata pranoi garancinë prej 1.1 milionë euro

Ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Perparim Bajrami, del nga paraburgimi pasi Gjykata pranoi garancinë e tij në shumën prej 1.140.781 euro, në pasuri të paluajtshme

“Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup, duke vepruar mbi propozimin e mbrojtjes së P.B., të pandehurit të parë në rastin me Nr. 1494/26, i njohur në publik si “Lotaria”, të dorëzuar më 14.10.2026 për zëvendësimin e masës së paraburgimit me garanci, mori vendim me të cilin miratoi propozimin, hoqi masën e paraburgimit dhe pranoi garancinë në shumën prej 1.140.781 euro, në pasuri të paluajtshme”, njoftoi Gjykata Penale.

Prokuroria Themelore Publike kompetente Shkup më 13.08.2026 paraqiti aktakuzë kundër Bajramit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, për të cilën parashikohet dënim me burg deri në 5 vjet. Sipas propozimit të prokurorisë kompetente, ndaj të pandehurit u caktua masa e paraburgimit pas kapjes dhe privimit të lirisë së tij, duke pasur parasysh se më parë nuk ishte i disponueshëm për organet e ndjekjes penale.

Gjykata sqaron se sipas dispozitave ligjore nga Ligji për procedurë penale, paraburgimi në rastin konkret nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë. I pandehuri më 09.09.2026 vetë u paraqit për vuajtjen e masës së paraburgimit në KPZ Burgun e Shkupit, prandaj afati ligjor për kohëzgjatjen e paraburgimit skadon më 08.11.2026.

“Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, Këshilli pranoi garancinë e ofruar, dhe me qëllim sigurimin e pranisë së të pandehurit gjatë procesit gjyqësor, njëkohësisht i caktoi masa shtesë kujdesi, dhe atë: konfiskimin e dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e lëshimit të dokumentit të ri për kalimin e kufirit shtetëror, si dhe detyrimin për paraqitje të rregullt në Gjykatë”, njoftuan nga Gjykata.

Kundër vendimit prokurori kompetent, si dhe palët e tjera në procedurë, kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës dhe ai u bë i formës së prerë sot.

Pas regjistrimit të hipotekës në Kadastrën e pasurive të paluajtshme, i pandehuri do të lirohet nga KPZ Burgun e Shkupit.

Lajme të ngjashme