Gashi në takim lamtumirës me Wall: OSBE është partner i rëndësishëm në procesin e forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe shoqërisë gjithëpërfshirëse

Sot, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, zhvilloi një takim lamtumirës me ambasadorin Kilian Wall, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.
Gashi falënderoi për bashkëpunimin deri më tani dhe kontributin personal të ambasadorit në përmirësimin e marrëdhënieve midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Misionit të OSBE-së në Shkup. Ai theksoi se OSBE-ja, përmes pranisë së saj shumëvjeçare në Maqedoninë e Veriut, është një partner i rëndësishëm dhe konstruktiv i institucioneve në procesin e forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe shoqërisë gjithëpërfshirëse.
Kryetari vuri në dukje se me mbështetjen dhe ndihmën e OSBE-së është forcuar pavarësia parlamentare, funksioni mbikëqyrës, si dhe roli demokratik i Kuvendit.
Ambasadori Kilian Wall theksoi se është e rëndësishme të vazhdohet me forcimin e mëtejshëm të rolit të Kuvendit si institucion qendror demokratik, veçanërisht në lidhje me kontrollin dhe mbikëqyrjen mbi pushtetin ekzekutiv, transparencën e institucioneve, llogaridhënien dhe rritjen e besimit të qytetarëve në proceset demokratike.
Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se gjithëpërfshirja, barazia dhe respektimi i të drejtave të të gjitha komuniteteve mbeten me rëndësi të veçantë për dialogun politik dhe për ndërtimin e besimit midis komuniteteve të ndryshme, ndërsa përvoja dhe mbështetja e OSBE-së në këtë fushë janë veçanërisht të vlefshme.
Në fund, kryetari theksoi se ambasadori Wall është njohës i shkëlqyer i rrethanave në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe në rajon, se është një mik i provuar i vendit tonë dhe në të ardhmen mund të llogaritet në mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij në varësi të detyrave të tij të reja.



