E martë, 3 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Toshkovski: Pas më shumë se 15 vjetësh neglizhencë dhe braktisje, pishina në Akademinë e Policisë në Idrizovë është përsëri në funksion

Pas më shumë se 15 vjetësh neglizhencë dhe braktisje, pishina në Akademinë e Policisë në Idrizovë është plotësisht rinovuar dhe përsëri vënë në funksion për nevojat e policisë maqedonase. Objekti, i cili ishte jashtë përdorimit për më shumë se një dekadë e gjysmë, me një investim prej rreth 5.7 milionë denarë është rikonstruktuar dhe përgatitur për pak më pak se tre muaj.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot vizitoi Akademinë e Policisë në Idrizovë, ku pati mundësinë të sigurohej për funksionalitetin e pishinës së rinovuar, në të cilën tashmë po kryhej kontrolli i aftësive të notit të kandidatëve për pranimin në Njësinë Speciale Antiterroriste "Tigar".

"Një objekt që qëndroi i braktisur për më shumë se 15 vjet, e rikthyem në funksion për pak më pak se tre muaj. Kjo është diferenca midis neglizhencës dhe rezultateve konkrete. Me një investim prej rreth 5.7 milionë denarë siguruam kushtet që kjo pishinë të shërbejë përsëri për punonjësit policorë, për trajnimin, përmirësimin dhe ruajtjen e gatishmërisë fizike të tyre", theksoi Toshkovski.

Pishina e rinovuar do të përdoret për trajnimin e policëve të ardhshëm, trajnime të specializuara të njësive policore, ushtrime shpëtimi dhe ruajtjen e gatishmërisë fizike të punonjësve policorë. Me vendosjen e saj përsëri në funksion krijohen kushte shtesë për përmirësimin e aftësive profesionale dhe gatishmërisë së policisë maqedonase.

Pishina ka edhe një vend të veçantë në historinë kinematografike maqedonase. Pikërisht në këtë objekt në vitin 1977 u xhiruan skena nga filmi kult maqedonas "Ngrihu, Delfina", i frymëzuar nga arritja e madhe sportive e Atina Bojadzhit, njoftoi ministria.

"Vazhdojmë të investojmë në njohuritë, gatishmërinë dhe zhvillimin profesional të punonjësve policorë, sepse investimi tek ata është investim në një polici më të fortë dhe një Maqedoni më të sigurt", u shpreh Toshkovski.

Lajme të ngjashme