Gashi në takimin e parë me ambasadoren e re të Mbretërisë së Bashkuar, Maja Sivanjanam

Sot në Kuvend u mbajt një takim mes kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, dhe ambasadores së sapoemëruar britanike Maja Sivanjanam.
"Gashi theksoi dinamikën zhvillimore disa dekadëshe të marrëdhënieve bilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat zhvillohen përmes formave konkrete të bashkëpunimit projektues dhe institucional, ndërsa veçoi bashkëpunimin përmes Fondacionit Westminster për Demokraci, me të cilin forcohen funksionet e Kuvendit dhe Shërbimit. Ai shprehu pritje për realizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në nivelin e kryetarëve të parlamenteve, grupeve parlamentare për bashkëpunim në të dy parlamentet dhe shkëmbimin ndërkomisional të praktikave dhe përvojave më të mira", njoftuan nga Kuvendi.
Ambasadorja Sivanjanam shprehu kënaqësi për bashkëpunimin e rëndësishëm me Kuvendin, të cilit do t’i kushtojë vëmendje të duhur gjatë mandatit të saj. Ajo gjithashtu e informoi Gashin për prioritetet dhe fokusin e punës në periudhën e ardhshme, me theks në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit të përgjithshëm bilateral mes dy shteteve.
"Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime rreth aktiviteteve të ardhshme të Kuvendit dhe mundësive e modaliteteve për rifreskimin e dinamikës së bashkëpunimit tashmë të vendosur mes dy parlamenteve. U theksua rëndësia e Partneritetit Strategjik dhe Marrëveshjes që rregullon marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, si dhe mbështetja e mëtejshme e agjendës evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ana e Mbretërisë së Bashkuar", njoftuan nga Kuvendi.



