Gashi vizitoi Komunën e Butelit dhe Zyrën e deputetëve për kontakt me qytetarët

Në kuadër të praktikës së vazhdueshme të vizitave në komunat dhe përkushtimit për funksionalizimin e zyrave të deputetëve për kontakt me qytetarët, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi një vizitë pune në Komunën e Butelit, ku u takua me kryetarin e Komunës, Darko Kostovski.
Gjatë takimit u shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional, projektet që po realizohen në komunë, si dhe planet dhe prioritetet për periudhën e ardhshme. U theksua rëndësia e koordinimit dhe komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, me qëllim përmirësimin e projekteve dhe zbatimin e iniciativave në interes të qytetarëve.
Pas vizitës, Gashi vizitoi edhe Zyrën e deputetëve për kontakt me qytetarët në Butel, së bashku me deputeten Karolina Naskovska.
Gjatë vizitës, ai i inkurajoi ata të shfrytëzojnë maksimalisht këtë hapësirë që mundëson komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet qytetarëve dhe deputetëve, dhe lehtëson zgjidhjen e kërkesave, propozimeve dhe shqetësimeve të tyre. Njëkohësisht, ai theksoi rëndësinë e informimit të qytetarëve për mundësitë që ofron zyra, si dhe platformën elektronike për kontakt me qytetarët, si mekanizma të rëndësishëm për afërsimin e Kuvendit me qytetarët.
Gashi konfirmoi përkushtimin për forcimin e transparencës, hapjes së Kuvendit dhe qasjes së lirë të qytetarëve në institucion, duke krijuar mundësi që zërat dhe kërkesat e tyre të dëgjohen dhe adresohen përmes mekanizmave institucionalë.



