Hadziu e zgjodhi Maqedoninë për vizitën e saj të parë zyrtare si kryetare e Kuvendit të Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot zhvilloi një takim me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Hadziu, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë. Në takim ishin të pranishëm: nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, kryetarja e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kosovës, Imrlie Saliu-Fetai dhe sekretarja e përgjithshme, Marina Dimovska.
Kryetari Afrim Gashi shprehu kënaqësi për realizimin e vizitës zyrtare të kryetares Albulena Hadziu, e cila përbën një konfirmim të përkushtimit të ndërsjellë për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut parlamentar dhe bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ai theksoi se bashkëpunimi parlamentar ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës karakterizohet me një dinamikë intensive dhe shprehu bindjen se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai nënvizoi se të dy vendet ndajnë një vizion të përbashkët për një rajon paqësor, të qëndrueshëm, të sigurt dhe ekonomikisht prosperues, i integruar në strukturat euroatlantike dhe, në këtë drejtim, është e rëndësishme të vazhdohet me dialogun e hapur dhe koordinimin për çështjet me rëndësi rajonale.
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Hadziu, u angazhua për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit konstruktiv ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe theksoi se kjo është vizita e saj e parë zyrtare në një vend të huaj si kryetare e Kuvendit, që përbën një konfirmim të fortë për rëndësinë e marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet dy shteteve mike.
Ajo shprehu falënderim që Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht mban një qëndrim afirmativ për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat multilaterale dhe rajonale.
Gjatë takimit u diskutua edhe për procesin e integrimeve evropiane, ku bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi i ndërsjellë duhet të jetë i orientuar drejt krijimit të kushteve për përshpejtimin e integrimit evropian të gjithë rajonit, bazuar në meritat, përmbushjen e kritereve dhe zbatimin e qëndrueshëm të reformave.
Gashi dhe Hadziu theksuan se do të vazhdojnë të nxisin kontaktet ndërmjet qytetarëve, të rinjve, komuniteteve akademike dhe subjekteve biznesore, pasi këto kontakte përbëjnë një bazë të rëndësishme për miqësi dhe partneritet afatgjatë.
Kryetarët e dy kuvendeve shkëmbyen mendime edhe për ngjarjet aktuale në rajon dhe në botë dhe theksuan nevojën për paqe, siguri dhe stabilitet.
Në fund të takimit, Gashi dhe Hadziu shprehën bindjen se vizita do të kontribuojë për forcimin e mëtejshëm të besimit të ndërsjellë dhe për përcaktimin e mundësive konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve.



