E martë, 27 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Maqedonia dhe ILO nënshkruan Programin Kombëtar për Punë Dinjitoze 2026–2030

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, organizatat e punëdhënësve, sindikatat dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) nënshkruan Programin Kombëtar për Punë Dinjitoze për periudhën 2026–2030, duke konfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, vende pune cilësore dhe produktive dhe institucione më të forta në tregun e punës.

"Me nënshkrimin e Programit Kombëtar për Punë Dinjitoze 2026–2030, ne konfirmojmë përkushtimin tonë për krijimin e vendeve të punës më cilësore, më mirë të paguara dhe më të sigurta. Prioritetet tona janë përmirësimi i të drejtave të punëtorëve, zhvillimi i aftësive sipas nevojave të tregut të punës, përfshirja më e madhe e të rinjve dhe grave dhe ulja e ekonomisë joformale. Në partneritet me Organizatën Ndërkombëtare të Punës dhe partnerët socialë, ne vazhdojmë me reformat për kushte më të mira pune dhe ekonomi më të fortë. Suksesi i këtij programi do të matet përmes përmirësimeve konkrete që do të ndiejnë punëtorët dhe kompanitë, sepse qëllimi ynë është që puna dinjitoze të bëhet realitet për çdo qytetar," tha ministri i ekonomisë dhe punës Besar Durmishi.

E hartuar përmes konsultimeve tripartiake, Programi siguron një kornizë bashkëpunimi midis ILO-së dhe konstituentëve të saj tripartiakë në Maqedoninë e Veriut. Ai është i harmonizuar me Kornizën e Kombeve të Bashkuara për Bashkëpunim për Zhvillim të Qëndrueshëm (UNSDCF) 2026–2030, duke kontribuar në realizimin e prioritetit të saj strategjik për ekonomi të qëndrueshme dhe punë dinjitoze. Programi gjithashtu lidh reformat e tregut të punës me agjendën më të gjerë të vendit për zhvillim të qëndrueshëm dhe me qëllimet për integrim evropian.

"Përmes përkushtimit dhe angazhimit të përbashkët mund të ndërtojmë një treg pune më gjithëpërfshirës, më produktiv dhe më rezistent. Me punë të përbashkët mund të krijojmë vende pune cilësore, të forcojmë institucionet e tregut të punës, të mbështesim zhvillimin e ndërmarrjeve të qëndrueshme dhe të realizojmë parimet dhe të drejtat themelore në punë", deklaroi Claire Harasti, drejtoreshë e ILO-së për Evropën Qendrore dhe Lindore.

Bota e punës në Maqedoninë e Veriut po ndryshon. Edhe pse vendi shënon përparim të vazhdueshëm në zhvillimin socio-ekonomik, mungesa e fuqisë punëtore, ndryshimet demografike dhe emigracioni, mos-përputhja midis ofertës dhe kërkesës për aftësi, pjesëmarrja e ulët e grave dhe të rinjve në tregun e punës, puna joformale dhe produktiviteti i kufizuar vazhdojnë të paraqesin sfida të rëndësishme.

"Programi i ri Kombëtar për Punë Dinjitoze i përgjigjet këtyre sfidave dhe fokusohet në tre fusha prioritare: krijimi i një mjedisi ekonomik mbështetës, përmes harmonizimit të legjislacionit të punës dhe legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, përmirësimi i dialogut social dhe negocimit kolektiv, si dhe mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme produktive, konkurruese, inovative dhe të qëndrueshme; përmirësimi i arsimit profesional dhe zhvillimi i aftësive, përmes përmirësimit të sistemeve të arsimit profesional, trajnimit dhe mësimit gjatë gjithë jetës, me qëllim që të përgjigjen më mirë ndaj nevojave të tregut të punës; fuqizimi ekonomik i grave, përmes promovimit të mundësive të barabarta dhe heqjes së pengesave për pjesëmarrje në tregun e punës, duke përfshirë detyrimet për kujdes ndaj personave të tjerë, hendekun gjinor në paga, si dhe dhunën dhe ngacmimin në vendin e punës", thanë nga Ministria.

Lajme të ngjashme