Hegset: Institutet Konfuçiane në universitetet amerikane janë kërcënim për sigurinë kombëtare

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka shpallur qendrat kulturore të financuara nga Kina, të njohura si Institutet Konfuçiane, të cilat operojnë në kampuset universitare, si kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, deklaroi sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth.
Uashingtoni prej kohësh i akuzon këto institute se shërbejnë si mjet për përhapjen e propagandës kineze dhe ka marrë masa për të kufizuar veprimtarinë e tyre.
Në një fjalim video të publikuar në rrjetet sociale, Hegseth tha se institucionet Konfuçiane në universitetet amerikane kanë vepruar fshehurazi dhe se Pentagoni i ka vendosur në listën e organizatave që rrezikojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së.
"Është vërtetuar se janë shfaqur 80 qeliza të reja propagandistike në 30 universitete, të cilat përdornin emra dhe statuse të ndryshme, por kishin të njëjtin qëllim – vjedhjen e pronës intelektuale dhe infiltrimin në mendjet e studentëve amerikanë", tha Hegseth.
Ai shtoi se Departamenti i Mbrojtjes gjatë dy muajve të fundit ka shpërbërë në mënyrë sistematike të gjitha këto organizata.
Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reuters për koment.
Institutet Konfuçiane janë qendra për studimin e gjuhës dhe kulturës kineze, të financuara nga shteti kinez. Veprimtaria e tyre ka qenë prej vitesh objekt kritikash në SHBA, ku autoritetet shprehin shqetësim se përmes tyre Pekini mund të ndikojë në ambientin akademik dhe të përhapë propagandë.



