E enjte, 22 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Klekovski i vizitoi pacientët me transplantim të veshkës: Falënderim për donatorët dhe familjet e tyre

22.10.2026, 13:18

Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, sot në Klinikën Universitare të Urologjisë vizitoi pacientët të cilëve së fundmi u është transplantuar veshka, dy prej tyre nga donator i ndjerë dhe i treti nga donator i gjallë.

Gjatë vizitës, ministri Klekovski u shoqërua nga koordinatore kombëtare për transplantim prof. dr. Biljana Kuzmanovska, drejtori i Klinikës Universitare të Urologjisë dr. Bashkim Shabani dhe drejtori i Klinikës Universitare të Nefrologjisë dr. Nikola Gjorgjievski.

"Faleminderimi më i madh i detyrohet familjes së donatorit të ndjerë. Në momentin më të vështirë, ata morën vendimin që i rikthen jetën pa dializë dy qytetarëve tanë. Ky është një akt jashtëzakonisht human, për të cilin nuk ka fjalë të mjaftueshme. Faleminderim edhe për donatorin e gjallë, i cili pjesë të vet ia dhuroi të afërmve të tij", deklaroi ministri Klekovski.

Ministri shprehu falënderim edhe për ekipet mjekësore të Klinikës së Urologjisë dhe Klinikës së Nefrologjisë, si dhe për të gjithë të përfshirët në procesin e koordinimit të dhurimit.

Me këto tre transplantime, këtë vit në Klinikën Universitare të Urologjisë janë kryer gjithsej 15 transplantime të veshkës, krahasuar me 11 në tërë vitin 2025. Deri në fund të vitit janë planifikuar edhe tre transplantime nga donator i gjallë.

"Çdo transplantim është rezultat i besimit, punës në ekip dhe përkushtimit. Vazhdimisht forcojmë rrjetin për transplantim dhe nxisim ndërgjegjësimin për dhurimin e organeve, sepse shumë pacientë ende presin shansin e tyre", shtoi Klekovski.

Ministria e Shëndetësisë i fton qytetarët të bisedojnë me të afërmit e tyre për dhurimin e organeve, sepse, siç thonë, dëshira e shprehur u lehtëson familjeve vendimin në momentet e vështira.

Lajme të ngjashme