Serafimovski: Po përgatitim model për lidhje sistematike të shkencës me mbështetjen për bujqit

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave po punon për përfshirjen sistematike të njohurive shkencore në përgatitjen e politikave dhe masave për mbështetjen e fermave bujqësore, deklaroi ministri Borçe Serafimovski në hapjen e "AGRO EXPO e projekteve të BE-së 2026" në SPACE PARK Shkup.
"Fokusi ynë është në përshtatjen me ndryshimet klimatike, përdorimin më efikas të burimeve ujore dhe ruajtjen e cilësisë së prodhimit", deklaroi ministri Serafimovski.
Ai informoi se është në fazën përfundimtare zgjedhja e kontraktorit për projektin "Projektimi, zhvillimi dhe implementimi i platformës së integruar të informacionit bujqësor (IAIP), përfshirë edhe sistemin informativ për menaxhimin e tokës në pronësi shtetërore (SALMIS)", me vlerë mbi dy milionë euro, i cili është pjesë e Projektit për modernizimin e bujqësisë, financuar nga Banka Botërore.
"Rezultatet e kësaj modernizimi do t'i matim përmes përfitimeve konkrete për bujqit, që do të thotë punë më efikase, cilësi më të mirë dhe qëndrueshmëri më të madhe ekonomike. Gjithashtu, kjo do të nënkuptojë krijimin e mundësive profesionale për të rinjtë në agronomi", theksoi ministri Serafimovski.
"AGRO EXPO e projekteve të BE-së 2026" mbahet më 30 dhe 31 tetor në SPACE PARK Shkup, me një program që përfshin prezantimin e 15 projekteve evropiane, mekanizëm dhe pajisje bujqësore, ekspozitë produktesh dhe ushqimesh dhe demonstrime praktike. Ngjarja organizohet në kuadër të projektit CAAIVE, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes Erasmus+. Organizatorë janë Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi" përmes Fakultetit të Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit, EMKICE KIC, Nova Kreativa dhe Qendra për Zhvillimin e Rajonit Planor Juglindor.



