E arrestuar nëna e të dyshuarit për sulmin terrorist në Francë, në apartamentin e tij u gjet një bombë shpërthyese

Nëna e të dyshuarit për sulmin terrorist në qytetet franceze Trappes dhe La Verrière, në departamentin Yvelines, u arrestua mbrëmë, disa orë pas sulmit, njoftoi televizioni BFMTV.
Djali i saj 39-vjeçar, i identifikuar si Kevin T., dyshohet se të premten rreth orës 10:30, nga një makinë hapi zjarr me armë automatike në rrugët e të dy qyteteve. Në sulm vdiq një burrë, ndërsa pesë persona u plagosën rëndë, përfshirë një vajzë 12-vjeçare që u godit nga tetë plumba.
I dyshuari u arrestua në Coignières nga anëtarë të brigadës kundër krimit. Sipas burimeve pranë hetimit, policia gjatë kontrollit në apartamentin e tij gjeti edhe një bombë shpërthyese të improvizuar me bombola gazi.
I njohur nga policia, por nuk ishte në bazën e sigurisë S
Sipas Prokurorisë Kombëtare Antiterroriste franceze (PNAT), Kevin T. nuk ishte regjistruar në bazën S, ku mbahen persona që paraqesin kërcënim potencial për sigurinë kombëtare. Megjithatë, ai ishte i njohur për policinë për shkak të veprave penale të mëparshme.
Presidenti francez Emmanuel Macron e vlerësoi sulmin si një pikë kthese, duke theksuar se bëhet fjalë për dhunë të motivuar nga ideologjia raciste.
"Kjo është një pikë kthese, sepse për herë të parë ndodhi një akt terrorist i planifikuar për të vrarë bashkëqytetarët tanë, fëmijët tanë, për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre ose besimit të tyre", deklaroi Macron, transmetoi France 24.
Presidenti francez bëri thirrje qytetarëve që të mos dorëzohen para ideologjive që po përhapen gjithnjë e më shumë dhe që mund të shërbejnë si justifikim për këtë lloj dhune.
Hetimi duhet të përcaktojë të gjitha rrethanat e sulmit, motivet e të dyshuarit dhe lidhjet e mundshme të personave të tjerë me ngjarjen.



