E enjte, 29 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Estonia ndërton 150 bunkerë në kufirin me Rusinë

Estonia do të ndërtojë rreth 150 bunkerë përgjatë kufirit me Rusinë për të forcuar gatishmërinë e saj mbrojtëse, konfirmoi mbrëmë para gazetarëve ministri estonez i mbrojtjes, Martin Herem. Projekti është pjesë e përpjekjeve më të gjera për sigurimin e kufirit lindor të NATO-s, transmeton „Kiev Independent“.

Vendndodhjet për ndërtim dhe detajet
Bunkerët do të vendosen në rajonin Ida-Virumaa, i cili shtrihet përgjatë kufirit me Rusinë. Sipas raportit të mediave estoneze ERR, ministri Herem shpjegoi se rreth 100 nga bunkerët do të ndërtohen në tokë shtetërore, ndërsa 50 të mbetur do të vendosen në prona private dhe komunale. Ai nuk dha detaje konkrete lidhur me qëllimin e tyre të saktë.

Kjo nismë vjen në kushte të kërcënimeve të vazhdueshme ruse ndaj krahut lindor të NATO-s. Si rezultat, vendet baltike në vitet e fundit kanë rritur investimet e tyre në mbrojtje dhe gatishmëri strategjike.

Përfaqësues të NATO-s paralajmëruan për kërcënime hibride – siç janë depërtimet e dronëve, shkeljet e hapësirës ajrore dhe aktet e sabotazhit – që kanë nxitur vendet në rajon të forcojnë kapacitetet e tyre për mbrojtje ajrore. Pas fillimit të pushtimit të plotë rus ndaj Ukrainës, Aleanca ka forcuar krahun e saj lindor përmes vendosjes së trupave shtesë dhe zhvillimit të planeve për përgjigje të shpejtë.

Një brigadë do të stacionohet në një bazë 50 km larg kufirit
Më parë këtë muaj, ushtria estoneze gjithashtu njoftoi zhvendosjen e përhershme të një brigade të gatshme për luftë në një bazë të re, e vendosur më pak se 50 kilometra nga kufiri me Rusinë, me qëllim përmirësimin e gatishmërisë për një sulm të mundshëm rus. Shpenzimet e mbrojtjes së Estonisë arrijnë në 5.4 për qind të PBB-së, që është dukshëm mbi objektivin e NATO-s prej 2 për qind.

Vendet fqinje po ndërmarrin hapa të ngjashëm. Në Letoni, më 26 tetor, brigada e NATO-s nisi ushtrimet më të mëdha të vendosjes së forcave deri tani. Më 7 tetor, ministri lituanez i punëve të brendshme, Martinas Katelinas, bëri thirrje për vendosjen e trupave përgjatë kufirit me enklavën ruse Kaliningrad, të cilën e quajti masë parandaluese.

Përveç aktiviteteve ushtarake, forcohen edhe barrierat fizike në kufij: Letonia së fundmi përfundoi ndërtimin e një gardhi 280 kilometra të gjatë drejt Rusisë, ndërsa Finlanda në shtator përfundoi gardhin e saj me gjatësi 200 kilometra.

Lajme të ngjashme