Në Kinotekë dy përvjetorë të rëndësishëm: 20 vjet nga vdekja e Dimitrie Osmanlit dhe 65 vjet nga xhirimi i „Verë e qetë“

Të premten, më 30 tetor, me fillim në orën 19:00, Kinoteka e Maqedonisë do të shënojë dy përvjetorë të rëndësishëm nga historia e kinematografisë maqedonase: 20 vjet nga vdekja e regjisor dhe autorit filmik Dimitrie Ruli Osmanli dhe 65 vjet nga xhirimi i „Verë e qetë“ (1961), komedia e parë maqedonase dhe filmi i parë në kinematografinë maqedonase i regjisorëve maqedonas.
Përveç „Verë e qetë“, në kuadër të programit do të shfaqen edhe filmi dokumentar „Vajzat e Mali“ (1963), si dhe Revistat Filmike nr. 4 dhe nr. 6 nga viti 1946, gjithashtu në regji të Osmanlit, të cilat përbëjnë dëshmi të çmuara për kohën dhe për zhvillimin e prodhimit filmik në Maqedoni.
Dimitrie Osmanli është autor i një sërë realizimesh të tjera të rëndësishme në prodhimin maqedonas artistik dhe dokumentar. Përveç atyre të përmendura më sipër, janë edhe filmat artistikë „Memento“ (1967), „Etje“ (1971) dhe „Engjëjt e mbeturinave“ (1995), si dhe dokumentarët „Fakujt e ndezur“ (1956), „Afion“ (1962), „Pasuri kulturore në rrënoja“ (1963), „Bulevardi 13 Nëntor“ (1964) dhe i vlerësuari „Dymbëdhjetë nga Papradniku“ (1965). Filmi i tij i shkurtër artistik „Beteja e kukullave“ (1957) në vitin 2022 hapi Festivalin e famshëm të filmave të restauruar „Il cinema ritrovato“ në Bolonjë, dhe njohja që fitoi kinematografia maqedonase me shfaqjen e tij në Bolonjë ishte edhe më e madhe, pasi ky ishte filmi i parë dhe deri tani i vetmi maqedonas i shfaqur në këtë festival të njohur. Në vitin 2023, në 60-vjetorin e tërmetit të Shkupit, „Memento“ u shfaq në kuadër të retrospektivës jugosllave të „valës së zezë“ në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Nju Jork – MoMA, ku mënyra e regjisorit Osmanli në këtë film u krahasua me atë të regjisorit të madh francez Alain Resnais në filmin e tij kult „Hiroshima, dashuria ime“.
Përveç që është komedia e parë, „Verë e qetë“ është gjithashtu filmi i parë maqedonas me temë bashkëkohore, sepse deri në vitin 1961 filmat artistikë trajtonin kryesisht tema nga Lufta e Dytë Botërore. Për „Vajzat e Mali“, „Vardar film“ mori çmimin e producentit në Festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër jugosllav në Beograd në vitin 1964.
Para fillimit të shfaqjeve, të pranishmëve do t’u drejtohet drejtori i Kinotekës së Maqedonisë, Boško Grujoski, i cili do të flasë për rëndësinë e krijimtarisë së Dimitrie Osmanlit dhe kontributin e tij në historinë e filmit maqedonas.



