E hënë, 19 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Gati një milion të rinj në Britani nuk janë të punësuar ose nuk studiojnë; Bernam: Katastrofë

19.10.2026, 08:31

Kryeministri britanik Andy Bernam deklaroi se Mbretëria e Bashkuar përballet me "një katastrofë ekonomike dhe dështim moral", pasi gati një milion të rinj janë jashtë arsimit, punësimit ose trajnimit. Në një shkrim për gazetën "The Times", ai tha se qeveria duhet të "investojë në suksesin e të rinjve tanë", dhe jo "të paguajë për dështimin përmes sistemit të ndihmës sociale", raportoi BBC.

"Përfitimet sociale do të bëhen rrjeti i fundit i sigurisë, jo pika fillestare", shkroi Bernam në artikull. Pritet që qeveria të publikojë plane më vonë këtë javë për krijimin e mijëra vendeve të punës për të rinjtë. Partia Konservatore e quajti strategjinë qeveritare për punësimin e të rinjve "katastrofë".

Gati një milion të rinj janë jashtë sistemit
Sipas të dhënave më të fundit nga Zyra Kombëtare e Statistikave, në vend ka gati një milion persona të moshës 16 deri 24 vjeç që nuk studiojnë, nuk janë të punësuar ose nuk janë në trajnim. Kryeministri në kolumnën e tij tha se kjo tregon se një brezi i është mohuar mundësia për të përparuar në jetë. "Kjo është një katastrofë ekonomike dhe një dështim moral. Kjo duhet të ndryshojë", shkroi ai.

Bernam beson se disa faktorë kanë kontribuar në krizë: dy vjet karantinë për shkak të pandemisë, mediat sociale që minojnë vetëbesimin dhe ndjenjën e përkatësisë, sistemi arsimor i fokusuar ekskluzivisht në universitetet, tregu i punës me pak mundësi dhe dështimet e qeverive të mëparshme.

Parashikon një kthesë në kujdesin social
Kryeministri kritikoi qasjen aktuale ndaj kujdesit social. "Sot, sistemi i kujdesit social ofron vlerësim, pagesë, dhe pastaj – lamtumirë", shkroi Bernam, duke shtuar se "shpeshherë nuk ka mbështetje, as oferta për trajnim ose mundësi pune".

Ai paralajmëroi një kthesë në qasje, duke theksuar se sistemi "nuk do të bazohet më në përcaktimin e të drejtës për përfitime", por do të nisë nga ambiciet e të rinjve dhe ndihma që u nevojitet për t'i arritur ato. "Gjithmonë do të ketë një rrjet sigurie sociale për ata që nuk mund të punojnë. Por, nëse dikush mund të punojë me mbështetjen e duhur, detyra e qeverisë është të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj që kjo të ndodhë", shtoi kryeministri.

Lajme të ngjashme