Një republikan paralajmëron Turqinë: Nuk jeni aleat i mirë kur okuponi territorin e dikujt tjetër

Senatori amerikan Rick Scott akuzoi Turqinë për "sjellje agresive" ndaj Greqisë dhe Qipros, duke drejtuar kritika të pazakonta të ashpra ndaj një aleati në NATO gjatë vizitës së tij në të dy vendet.
Senatori nga Florida tha për "Associated Press" se Turqia "nuk sillet si një aleat i NATO-s", duke përmendur mosmarrëveshjet me Greqinë rreth hapësirës ajrore dhe kufijve detarë, si dhe praninë e vazhdueshme ushtarake të Turqisë në pjesën veriore të Qipros – ishulli i ndarë që nga viti 1974.
Ai zhvilloi biseda me përfaqësues grekë.
Komente të Scott vijnë në një kohë të tensioneve të rinovuara rreth kabllit të planifikuar nënujor të energjisë elektrike, i cili do të lidhë Greqinë dhe Qipron, me mundësi zgjerimi edhe drejt Izraelit. Turqia pretendon se duhet të konsultohet para se të fillojnë ndonjë hulumtim në fundin e detit.
Scott, anëtar i komisioneve senatore për forcat e armatosura dhe marrëdhëniet e jashtme, diskutoi çështje të lidhura me mbrojtjen dhe energjinë me përfaqësuesit grekë, pas vizitës në Athinë javën e kaluar nga sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio.
"Nuk sileni si një aleat i NATO-s kur dërgoni avionë F-16 të fluturojnë mbi territorin e një vendi tjetër. Gjithashtu, nuk jeni aleat i mirë kur okuponi një pjesë të territorit të një vendi tjetër – dhe pikërisht këtë po bëni. Shpresoj që kjo të ndryshojë, por duke parë situatën, është sjellje agresive", tha Scott, duke iu referuar Turqisë.
Greqia dhe Turqia, të dy anëtare të NATO-s, janë prej dekadash në mosmarrëveshje rreth kufijve detarë në Detin Egje dhe Mesdheun Lindor, si dhe rreth ishullit të ndarë të Qipros. Projekti i lidhjes së rrjetit elektrik është bërë burimi më i fundit i tensioneve midis Ankarasë dhe Athinës.
"Mendoj se ajo që po bëjnë Greqia, Qiproja dhe Izraeli do të jetë e mirë. Është mirë për ta dhe mirë edhe për ne. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar. Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t'u siguruar që Turqia të mos krijojë probleme për atë projekt", paralajmëroi Scott.
Scott gjithashtu theksoi se largimi i fundit i Kimberly Guilfoyle nga pozicioni i ambasadores së SHBA-së në Greqi nuk do të ndikojë në marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Greqisë. Shtëpia e Bardhë publikisht kërkoi dorëheqjen e saj, në kushte akuzash për sjellje të papërshtatshme dhe, mundësisht, të paligjshme, të cilat ajo i mohon.



