Putin pret një thirrje nga Zelenski: „Ai do të telefononte“

Presidenti rus Vladimir Putin do të pranonte një bisedë telefonike direkte me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski nëse ftesa do të vinte nga Kievi, deklaroi Yuriy Ushakov, këshilltar për politikën e jashtme i Kremlinit.
Në një bisedë për televizionin shtetëror rus "Vesti", Ushakov theksoi se lideri rus kurrë nuk ka refuzuar biseda direkte me krerët e shteteve të tjera.
"Mendoj se, sigurisht, do të hynte në kontakt. Putin kurrë nuk ka refuzuar biseda", tha Ushakov, duke iu përgjigjur pyetjes nëse mund të ketë komunikim të drejtpërdrejtë midis dy presidentëve.
Deklarata e tij erdhi pasi ministri ukrainas i punëve të jashtme Andriy Sybiha konfirmoi se Zelenski është i gatshëm për negociata direkte me Putin në nivelin më të lartë, me qëllim diskutimin e çështjeve më të ndjeshme dhe më të vështira të konfliktit, kryesisht çështjen territoriale.
Sybiha theksoi se Ukraina konsideron se takimi direkt midis Zelenskut dhe Putin është një kusht i rëndësishëm për tejkalimin e ngërçit diplomatik dhe arritjen e përparimit konkret në negociatat për përfundimin e luftës.
"Ne duam atë takim dhe jemi të gatshëm për të. Ndoshta vetëm një takim midis Zelenskut dhe Putin mund t'u japë negociatave një kuptim të ri. Zelenski është i gatshëm të diskutojë çështjet më të vështira dhe më të ndjeshme, veçanërisht çështjen territoriale", shtoi Sybiha.
Kreu i diplomacisë ukrainase theksoi se delegacionet në nivele më të ulëta mund të diskutojnë për çështje teknike, si masat për ndërtimin e besimit, shkëmbimin e të burgosurve dhe mbrojtjen e civilëve, por zgjidhjet gjithëpërfshirëse politike lidhur me sovranitetin dhe kufijtë shtetërorë kërkojnë angazhim të drejtpërdrejtë të krerëve të shteteve.
Kievi më parë kishte deklaruar se është i gatshëm të shqyrtojë zgjidhje praktike, duke përfshirë ngrirjen e vijës aktive të frontit për të ndaluar luftimet dhe viktimat.
Sidoqoftë, autoritetet ukrainase theksojnë se nuk do të lëshojnë ligjërisht territor dhe as nuk do të njohin formalish pushtetin rus mbi rajonet nën kontrollin rus.
Foto: EPA


