E premte, 30 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Zelenski është i gatshëm të bisedojë drejtpërdrejt me Putin për çështjet territoriale

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski është i gatshëm të bisedojë drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin për çështjet territoriale me qëllim që të vihet një fund i luftës, deklaroi ministri ukrainas i Punëve të Jashtme Andrij Sybiha, transmeton "Kiev Post".

Në një intervistë për gazetën finlandeze "Helsingin Sanomat", Sybiha konfirmoi se Kievi ka koordinuar bisedën telefonike mes Putin, presidentit finlandez Sauli Niinistö dhe kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre. Ata i kanë përcjellë Putinit kërkesën e Ukrainës për armëpushim dhe propozimin për një takim të drejtpërdrejtë me Zelenskin.

"Ne e duam atë takim dhe jemi të gatshëm për të. Ndoshta vetëm një takim mes Zelenskyt dhe Putin mund të sjellë përparim në negociata. Zelenski është i gatshëm të diskutojë temat më të vështira dhe më të ndjeshme, përfshirë edhe çështjen territoriale", deklaroi Sybiha.

Ai theksoi se për Kievin vendi i takimit nuk është vendimtar, për sa kohë që nuk mbahet në Moskë ose Bjellorusi. Sipas tij, bisedat e drejtpërdrejta mund të mundësojnë edhe shkëmbimin e të burgosurve ushtarakë dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të dërguar në Rusi.

Sybiha njoftoi se në nëntor në Abu Dabi pritet vazhdimi i negociatave trilaterale mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, të cilat duhet të tregojnë nëse Moska ka një qëllim serioz diplomatik për të përfunduar luftën. Ai shtoi se Kievi për momentin nuk sheh sinjale të tilla.

Ministri ukrainas kërkoi edhe një rol më të fortë të Evropës në procesin e paqes, duke vlerësuar se administrata e presidentit amerikan Donald Trump po afrohet me disa nga kërkesat ruse. Megjithatë, ai theksoi se pjesëmarrja e Uashingtonit mbetet e nevojshme për arritjen e paqes dhe sigurimin e garancive të sigurisë për Ukrainën.

Në anën tjetër, Kremlini vazhdon të insistojë që takimi eventual mes Putin dhe Zelenskyt të mbahet në Moskë, çka Kievi e refuzon.

Lajme të ngjashme