Zelenski nesër mbërrin në Turqi për bisedime me Erdogan

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski nesër do ta vizitojë Turqinë, ku me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan do të bisedojë për luftën me Rusinë dhe sigurinë në Detin e Zi, njoftoi sot presidenca turke.
Takimi do të mbahet në Stamboll, dhe bisedimet do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, ngjarjet rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë konfliktin ruso-ukrainas.
Erdogan në një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump të mërkurën deklaroi se Turqia është e gatshme të mbështesë përpjekjet për rifillimin e negociatave ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë me qëllim përfundimin e luftës.
Turqia më parë i ka dorëzuar Kievit dhe Moskës një memorandum për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi. Ankara, e cila mban marrëdhënie të ngushta me të dy vendet, ka ofruar disa herë të jetë nikoqire e negociatave paqësore.



