Gjykata Supreme anulon dënimet për spitalin modular në Tetovë, çështja kthehet për rigjykim

Gjykata Supreme anuloi dënimet e Gjykatës Themelore Tetovë dhe Gjykatës së Apelit Gostivar për rastin me spitalin modular në Tetovë dhe e ktheu çështjen për rigjykim dhe vendim në gjykatën e shkallës së parë.
Vendimi u mor në seancën e Këshillit për veprat penale më 22 tetor, pasi gjykata pranoi kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të formës së prerë, të paraqitura nga të dënuarit përmes avokatëve të tyre.
"Këshilli për veprat penale pranë Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 22.10.2026, mori vendim në çështjen KVP2-36/26 (në publik i njohur si Spitali Modular Tetovë), me të cilin pranoi kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të formës së prerë të të dënuarve, të paraqitura përmes avokatëve të tyre", thuhet në njoftim.
Me këtë vendim u anuluan vendimi i Gjykatës Themelore Tetovë më 16 maj 2025 dhe vendimi i Gjykatës së Apelit Gostivar më 26 nëntor 2025.
Njëkohësisht, Gjykata Supreme e hodhi poshtë si të papranueshme kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të formës së prerë të paraqitur nga personi juridik i akuzuar JZU Spitali Klinik Tetovë.
Çështja do të shqyrtohet përsëri para Gjykatës Themelore Tetovë.
Në tragjedi humbën jetën 14 persona, pacientë që trajtoheshin nga COVID-19, ndërsa 12 persona u plagosën. Çështja për zjarrin në spitalin modular në Tetovë ishte kthyer një herë më parë për rigjykim me vendim të Gjykatës së Apelit Gostivar.
Në procedurën e dytë të ankesës, në dhjetor 2025, dënimet për ish-drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi u rritën nga një e gjysmë në tre vjet burg, ndërsa gjoba për Spitalin Klinik Tetovë u rrit nga një në 1.3 milionë denarë.



