E enjte, 29 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Rusët fillojnë të përdorin një rrugë alternative detare për eksportin e grurit

Rusia, eksportuesi më i madh botëror i grurit, për herë të parë është kthyer drejt rrugës detare arktike për dorëzimin e drithërave në tregjet ndërkombëtare, duke kërkuar alternativa për portet e saj në Detin e Zi dhe Detin Baltik. Porti tregtar Murmansk dhe kompania e tregtisë së drithërave "Demetra Holding" njoftuan se po ngarkohen 3,400 ton drithë nga "rajone kyçe bujqësore".

Murmansk ndodhet në Gjirin Kola të Detit Barents; porti i tij mbetet pa akull, megjithëse qyteti është 200 kilometra në veri të Rrethit Arktik. Ai është një nga portet më të rëndësishme në Rusinë veriore, që shërben si port amë për flotën e peshkimit dhe thyerësit e akullit në skajin perëndimor të Rrugës Detare Veriore.

"Në kohën kur rrugët tradicionale të eksportit përballen me kufizime, Porti Tregtar Murmansk hap shpejt një rrugë alternative përmes së cilës prodhuesit bujqësorë rusë mund të arrijnë në tregjet e huaja", thuhet në njoftimin për shtyp të portit.

Rusia po përshtat rrugët e saj të eksportit për shkak të sulmeve të shpeshta me dronë ndaj anijeve në Detin e Zi dhe Detin Azov, duke rritur dërgesat e drithërave përmes Detit Kaspik.

Rreth 28,000 ton grurë pritet të ngarkohen në Murmansk në një anije që po niset për në portin maroken Casablanca, raportoi Reuters duke iu referuar të dhënave të trafikut detar dhe burimeve industriale të paidentifikuara.

Rusia ka riorientuar grurin e destinuar për eksport kryesisht drejt porteve baltike, të cilat në shtator përpunuan 1.2 milion ton – që përbën mbi 60 përqind të eksportit total rus të drithërave nëpërmjet detit. Kompanitë kanë rikonvertuar terminalet që më parë përdorej për ngarkimin e plehrave dhe qymyrit, duke i përshtatur për dërgesa drithërash, vërehet në raportin e Reuters.

Lajme të ngjashme