Rutte: NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit të anëtarëve të tij

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca e Atlantikut të Veriut është e gatshme të mbrojë çdo pjesë të territorit të anëtarëve të saj në rast të një sulmi të mundshëm, duke theksuar se aktualisht nuk ka prova që Rusia planifikon të sulmojë ndonjë nga vendet e Aleancës.
Rutte theksoi se NATO po ndjek me kujdes situatën e sigurisë dhe do të reagojë nëse vëren përgatitje për sulm.
"Nëse shohim një rritje të forcave, do të reagojmë ndaj saj", tha Rutte, sipas mediave.
Ai përsëriti se Aleanca mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së të gjithë aleatëve, pavarësisht nga madhësia apo vendndodhja gjeografike e tyre.
"Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit tonë, pavarësisht nëse aty jetojnë njerëz apo jo", tha Rutte, duke iu referuar qëndrimit që më parë e shprehu komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grinkevich.
Gjatë vizitës në Estoni, Rutte vlerësoi se Rusia mbetet një kërcënim afatgjatë për sigurinë, por aktualisht nuk është në pozicionin më të mirë për një konflikt të mundshëm me Aleancën.
Ai i quajti aktivitetet hibride të Rusisë në Evropë si një tregues i dobësisë dhe theksoi se NATO ka mjete për t'u përballur me këto kërcënime.
Sipas tij, Aleanca ka përgatitur plane mbrojtëse dhe ka vendosur forca tokësore përgjatë krahut lindor të NATO-s.
Rutte gjithashtu kujtoi paralajmërimin e gjeneralit Grinkevich, i cili tha se në rast sulmi ndaj njërit prej anëtarëve, forcat e Aleancës do të shkatërrojnë jo vetëm forcat që janë përfshirë në sulm, por edhe sistemet që i mbështesin dhe i drejtojnë ato.
NATO paralajmëron përgjigje ndaj kërcënimeve hibride
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se Aleanca nuk ka ndërmend të përgjigjet ndaj çdo kërcënimi me njoftime publike, por me masa konkrete kur i konsideron të nevojshme.
Ai deklaroi se përgjigjet e NATO-s nuk do të shpallen gjithmonë publikisht, as nuk do të jenë domosdoshmërisht të njëjta me veprimet ndaj të cilave Aleanca reagon.
Sipas tij, reagimi mund të jetë simetrik, por edhe krejtësisht i ndryshëm, në varësi të natyrës së kërcënimit.
Rutte tha se NATO nuk do të lejojë që aktivitetet hibride ta trembin ose të shpërqendrojnë nga mbrojtja e anëtarëve të saj.



