E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Rutte pas sulmit në Bullgari: NATO po ndjek situatën e sigurisë

13.10.2026, 11:00

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca do të vazhdojë të ndjekë situatën e sigurisë në Detin e Zi dhe do të përshtatë masat e saj mbrojtëse sipas nevojës, pas sulmeve ndaj anijeve tregtare pranë bregut bullgar.

"Kam biseduar me kryeministrin bullgar Rumen Radev për sulmet e fundit ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi. NATO do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me aleatët e saj në rajon. Ne tashmë kemi forcuar praninë tonë në krahun lindor dhe do të vazhdojmë të ndjekim situatën e sigurisë, duke përshtatur masat tona të shmangies dhe mbrojtjes sipas nevojës", shkroi Rutte në rrjetin social "X".

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu dënoi sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare pranë bregut bullgar dhe deklaroi se përgjegjësit duhet të përballen me pasojat.

"Deti i Zi është bërë një front tjetër i eskalimit në luftën ruse kundër Ukrainës. Kjo është e papranueshme", shkroi Von der Leyen në "X".

"Dënoj ashpër sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare pranë bregut bullgar. Ato rrezikojnë seriozisht jetën e ekuipazheve dhe kërcënojnë sigurinë në Detin e Zi", theksoi ajo.

Presidentja e KE-së deklaroi se Bashkimi Evropian qëndron pranë Bullgarisë dhe falënderoi ekipet e shpëtimit për reagimin e tyre të shpejtë.

Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrij Sybikha, akuzoi Rusinë për neglizhencë të qëllimshme ndaj jetëve njerëzore dhe sigurisë detare në Detin e Zi pas sulmeve ku u plagosën shtetas ukrainas dhe azerbajxhanas.

"I bëjmë thirrje partnerëve tanë të rrisin presionin ndaj Rusisë, të forcojnë sanksionet dhe të ndërmarrin hapa vendimtarë që ajo të përgjigjet dhe për të mbrojtur lirinë e lundrimit", shkroi Sybikha në "X".

Ai deklaroi se Deti i Zi është jetik për sigurinë globale ushqimore, por, siç tha, Rusia përpiqet ta përdorë urinë si armë dhe të mbajë botën në një pozicion varësie.

"Kjo duhet të përgjigjet me vendosmëri", theksoi ministri ukrainas i Punëve të Jashtme.

Dy anije tregtare u goditën në incidente të ndara në Detin e Zi gjatë natës. Origjina e dronëve dhe rrethanat rreth dy incidenteve ende nuk janë përcaktuar përfundimisht.

Lajme të ngjashme